Lajm14 Feb 2017

Gjykata e Apelit shpall përgjegjës Ministrinë e Mbrojtjes për “Gërdecin”

Pas një kalvari shumëvjeçar gjyqësor, gjykata Administrative e Apelit shpalli përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit Ministrinë e Mbrojtjes, kompaninë shtetërore Meico dhe atë private Albademil dhe i detyroi të paguajnë dëmshpërblim në të parën nga 37 çështje kompensimi të paraqitura.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Gërdeci gjashtë vjet pas shpërthimit | Foto nga : Aleksandra Bogdani

Gërdeci gjashtë vjet pas shpërthimit | Foto nga : Aleksandra Bogdani

Gjykata Administrative e Apelit vendosi dëmshpërblimin e parë civil për tragjedinë e Gërdecit duke shpallur përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, të kompanisë shtetërore të tregtisë së armatimeve MEICO si dhe të kompanisë private Albademil për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008, kur çmontimi i municioneve në një bazë ushtarake në fshatin Gërdec pranë Tiranës shkaktoi 26 të vdekur si dhe shkatërroi shtëpitë e një fshati të tërë, bënë të ditur avokatët e çështjes.

“Në datën 25 janar 2017 gjykata ka pranuar padinë e parë të kësaj natyre duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila ngarkoi me përgjegjësi autoritetet shtetërore, duke e klasifikuar këtë ngjarje si një krim shtetëror,” bënë të ditur qendra Res Publica dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros në një deklaratë të përbashkët.

Kjo është vetëm çështja e parë që përfundon në Gjykatën Administrative të Apelit nga çështjet e ndjekura nga qendra ResPublica, ndërkohë që në pritje janë edhe 36 çështje të tjera, të cilat pritet të kenë të njëjtën ecuri.

Drejtori Ekzekutiv i qendrës ResPublica, Z. Dorian Matlija u shpreh se “Kjo ishte një sipërmarrje e vështirë, në një kohëzgjatje të madhe, që u realizua me këmbëngulje edhe falë mbështetjes së Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, i cili e ka mbështetur i vetëm këtë nismë që në fillim. Tashmë mirëpresim ekzekutimin e këtij vendimi në mënyrë vullnetare dhe pa zvarritje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, gjë që do të rriste edhe vlerësimin e publikut për institucionet”.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Andi Dobrushi, u shpreh se: “Ky është lajm i mirë për ato familje që përpos fatkeqësisë, njohën edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore për shkak të një sistemi që pengonte aksesin në gjykatë, sidomos përmes aplikimit të taksave dhe kostove të papërballueshme të gjyqeve, në kundërshtim me Konventën Evropiane”.

Çështja e përgjegjësisë së shtetit dhe të kompanisë Albademil nisi në vitin 2011 me padi civile të dorëzuar nga familjarët e viktimave të shpërthimit, të cilët kërkuan shpërblimin e dëmit për humbjen e jetës së të afërmve të tyre më 15 Mars 2008. Këto çështje më pas u transferuan në kompetencë të Gjykatës Administrative, pasi kaluan më parë përmes instancave të ndryshme gjyqësore duke përfshirë në disa raste edhe gjykimin për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2012, gjykimet për kompetencën lëndore në Gjykatën e Lartë në vitin 2014.

Pas kalvarit të gjatë gjyqësor, më 25 janar 2017, Gjykata Administrative e Apelit mori vendimin e parë, i cili i hap rrugën kërkesave të tjera të familjeve të të vdekurve dhe të të plagosurve të Gërdecit.

Familjarët e viktimave të Gërdecit u përballën gjatë këtyre viteve, jo vetëm me kundërshtimin e qeverisë së kaluar për dëmshpërblim, por edhe me kundërshtimin e qeverisë aktuale, e cila, njësoj si paraardhësja, këmbënguli se Ministria e Mbrojtjes nuk qe përgjegjëse për ngjarjen tragjike.

  • Ina Shehu

    cfare do te thote qe Ministria e Mbrojtjes eshte pergjegjese? a do kete emra te pervecem?