Gjykata e Apelit në Shkodër i hoqi ish-deputetit të PD Bardh Spahia masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë vetëm me detyrim paraqitje. Masat e sigurisë u zbutën edhe për të tjerë të ndaluar për protestën para KZAZ, në të cilën u dogjën materialet e votimit.
Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi të enjten masën e sigurisë detyrim paraqitje për ish-deputetin e PD Bardh Spahia. Spahia i cili u arrestua nga policia në Tiranë ndërsa ishte duke komunikuar me një emision televiziv, akuzohet për “kundërshtim i punonjësve të policisë”, “shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “mosbindje ndaj punonjesve të policisë”.
Vecc Spahisë masa sigurie më të buta u dhanë në Apel edhe për të tjerë të arrestuar me akuza të njëjta, pas protestës para njërës prej KZAZ-ve të Shkodrës para zgjedhjeve të 30 qershorit. Ish-deputeti dhe të ndaluarit e tjerë akuzohet se dogjën një klasë të shkollës “Shejnaze Juka” në të cilën ndodheshin materialet për votimet, të cilat u bojkotuan nga opozita që e konsideroi vijimin e tyre të paligjshëm pas një dekreti të Presidentit Ilir Meta.
Gjatë seancës prokurori i Apelit Brahim Dragjoshi e cilësoi të drejtë vendimin e Shkallës së Parë dhe kërkoi të lihet në fuqi masa “arrest shtëpie”. Ndërkohë mbrojtësit e Bardhit avokatët Ivi Kaso dhe Ledi Nurja kërkuan që arrestimi i Bardhit të cilësohej i paligjshëm dhe ai të lihej i lirë.
Procesi u shty fillimisht pasi Policia e Tiranës nuk e kishte shoqëruar Bardhin në gjykatë. Ai rifilloi në orën 14.00 dhe gjyqtarja Marina Rraboshta pasi dëgjoi palët vendosi të ndryshojë masat e sigurisë duke e lënë Spahinë me masë sigurie “detyrim paraqitjeje”. Një masë e ngjashme u dha edhe për të ndaluarit e tjerë Alfred Nikolli, Gentian Bytyçi, Aleks Ndoj dhe Adi Garuci. Nga të ndaluarit Ccesk Toma u la pa masë sigurie, pasi nuk rezultoi të ishte përfshirë në përplasje me policinë.
Pas seancës në të cilën ndodheshin ish-deputetë të PD dhe kryebashkiakja Voltana Ademi, avokati Ivi Kaso tha se vendimi kishte vërtetuar se ndalimi i Spahisë kishte qenë i paligjshem se “ka qenë një ndalim thjesht politik nga policia politike”. Kaso tha se ata që kishin bërë arrestimin do jepnin llogari, ai tha se nuk kishte asnjë provë për shkatërrim të pronës me zjarr.