Lajm23 Nov 2018

Gjykata e Beratit shpall fajtore mjeken për vdekjen e 3-vjeçares në spital

Mjekja pediatre, Shpresa Karkanjozi u dënua me 1 vit burg të konvertuar në shërbim prove për “mjekim të pakujdesshëm” në rastin e vajzës 3-vjeçare, që shkoi në spital me virozë dhe ndërroi jetë nga temperatura e lartë. Të dyja palët dolën të pakënaqura nga gjykata dhe paralajmëruan apel.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Anila dhe Xhevahir Dërrasa (ne qendër) dhe avokatët e tyre mbrojtës pas dhënies së vendimit për vdekjen e vajzës së tyre në spital. Foto: E. Azizolli

Anila Dërrasa, nëna e një vajze të mitur që humbi jetën një vit më parë në spital ndërsa ishte prekur nga një virozë stine doli e zhgënjyer nga  Gjykata e Rrethit të Beratit, pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj mjekes Shpresa Karkanjozi, të cilën ajo e akuzon për humjen e jetës së fëmijës.

Ajo tha se kërkesa e saj për drejtësi nuk do të ndalojë këtu, edhe pse cilido vendim nuk i kthen asaj fëmijën.

Në krahun tjetër, mjekja e sapodënuar e gjen po ashtu të padrejtë vendimin. Ajo thotë se ishte bërë “kokë turku” dhe se do ta apelonte dënimin për “mjekim të pakujdesshëm”. Të dyja palët janë të pakënaqura, pas një procesi gjyqësor që zgjati gati tetë muaj.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Berat shpalli mesditën e së enjtes fajtore mjeken pediatre, Shpresa Karkanjozi për veprën penale “mjekim i pakujdesshëm”. Në një seancë që zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, kryetari i trupit gjykuese, Agron Vavla dënoi me 1 vit heqje lirie, të konvertuar me dy vite “shërbim prove” si dhe pezulloi nga ushtrimi i profesionit mjeken pediatre.

Vogëlushja Dërrasa vdiq  në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit në 23 janar 2017, tre ditë pasi ishte shtruar në këtë repart për shkak të virozave të stinës.  Menjëherë pas vdekjes së vogëlushes, prindërit e saj akuzuan mjeken, duke pretenduar se vajza kishte vdekur nga një reaksion nga mjekimet që i hidheshin në serum për uljen e temperaturës.

Mjekja pediatre, Shpresa Karkanjozi pas dhënies së vendimit të Gjykatës. Foto: E.Azizolli.

Në pretencën e dhënë më 7 Nëntor, përfaqësuesi i organit të akuzës, Dritan Gripshi i kërkoi gjykatës shpalljen fajtore të mjekes dhe dënimin e saj me katër vite heqje lirie. Sipas prokurorit, gjatë kryerjes së hetimeve ka rezultuar se vogëlushja J. Dërrasa nuk kishte marrë përkujdesjen e duhur ndërsa ndodhej e shtruar në Repartin e Pediatrisë, ku humbi jetën pas një temperature të lartë.

Vendimi i dhënë të enjten nga Gjykata e Rrethit të Beratit ka sjellë reagim tek prindërit e vogëlushes, të cilët deklaruan se do të apelojë çështjen. Sapo ka mësuar vendimin e dhënë nga gjykata, nëna e vajzës tha se ‘gjykata e Beratit nuk ka dhënë vendimin e duhur, pasi nuk ka mbështetur kërkesën e Prokurorisë për dënimin e mjekes me 4-vite burgim”.

Ndërsa  i ati i vajzës, Xhevair Dërrasa e cilësoi vendimin e dhënë  thjesht si “1-ditë burg” për mjeken.

Njësoj si prindërit e vajzës, edhe avokatët e tyre e quajtën të padrejtë vendimin dhe paralajmëruan dërgimin e çështjes në Gjykatën e Apelit. Megjithatë, avokati Ndue Pjetra shtoi se ky është vendimi i parë i dënimit me burg të mjekëve, të cilët sipas tij dënohen zakonisht me gjobë.

Kur i kanë mbetur dhe pak vite në profesionin e pediatres, mjekja Karkanjozi preferoi që të flasë vetë në fund të procesit, ndryshe nga seancat e tjera, në të cilat ishte përfaqësuar nga avokati mbrojtës.

Ajo deklaruar shkurt se është e pafajshme dhe se po ashtu do ta apelojë vendimin.

“Jam e pafajshme në këtë histori, mua më përdori drejtësia për “kokë turku” për të vjedhur shtetin dhe do apeloj në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” tha ajo.