Gjykata e Fierit caktoi masë sigurimi detyrim paraqitje për dy drejtues lokalë të Operatorit të Sistemit të Trasmetimit, ndërsa e cilësoi arrestimin e tyre në lidhje me vdekjen e dy elektricistëve të paligjshëm.
Gjykata e Fierit caktoi të premten masë sigurimi detyrim paraqitjeje për Andi Priftin dhe Erisled Lalen drejtori dhe inxhinieri i Operatorit të Sistemit të Trasmetimit, OST. Ata u arrestuan pas vdekjes se dy elektricistëve në Jagodinë, pasi shtylla e tensionit të lartë u rrëzua duke i zënë poshtë.
Gjergji Duka 50 vjeç dhe Bashkim Saliasi 64, humbën jetën në fshatin Jagodinë të Rroskovecit ku po ndërronin linjën e tensionit të lartë duke e kaluar nga shtyllat e vjetra e të amortizuara në ato të reja.
Sipas prokurorisë drejtori Prifti dhe inxhinieri Lala kishin lejuar dy elektricistët Gjergji Duka dhe Bashkim Saliasi të punonin për llogari të një firme që merrej me heqjen e linjës së tensionit të lartë nga shtyllat e vjetra për t’i kaluar në ato të reja. Dy punonjësit nuk e kishin këtë në përshkrimin e punës së tyre.
Prokuroria e ndryshoi klasifikimin e veprës penale në ngarkim të të zyrtareve të OST nga ‘Shpërdorim detyre’ në ‘Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë’ dhe kërkoi si masë sigurie detyrim paraqitje.
Mbrojtja e të akuzuarve kërkoi që arrestimi të shpallej i paligjshëm, ndërsa ra dakord me masën e sigurisë së kërkuar nga prokuroria. Gjykata vendosi të shpallë të paligjshëm arrestimin dhe caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje.