Dy oficerë policie dhe një avokat të arrestuar me akuzën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm nga Prokuroria e Fierit dolën para gjykatës e cila vlerësoi të ligjshëm arrestimin. 2 prej të arrestuarve u lanë të lirë me garanci pasurore, ndërsa një prej oficerëve u la me masë sigurie në burg.
Një oficer policie i arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), me “akuza për korrupsion”, “ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe “shpërdorim detyre”, u la nga Gjykata e Fierit me masë sigurie arresti në burg.
Marjon Hasanbashaj me detyrë nënkomisar në policinë e Fierit, u arrestua sëbashku me kolegun e tij Erjon Muhaj dhe avokatin Klaudio Xhymerti. Muhaj dhe Xhymerti u lanë me masa sigurie më të buta nga gjykata, që vendosi për ta detyrim paraqitje me garanci pasurore. BIRN nuk arriti të kontaktonte me të akuzuarit, para publikimit të këtij shkrimi.
Tre personat në fjalë u arrestuan të mërkurën nga SHÇBA, pasi disa muaj hetimesh. Sipas një njoftimi për shtyp të SHÇBA, punonjësit e policisë u arrestuan “pasi duke qenë në detyrën e specialistit të Krimeve dhe të OPGJ-së në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim edhe me shtetasin K.Xh., avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonin presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale”.
Tre të arrestuarit u paraqitën në seanca të veçanta. Gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin, por dha ndaj tyre masa të ndryshme sigurie. Ata akuzohen për veprat penale “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre, në bashkëpunim”.
Sipas Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, dyshohet se mjaft qytetarë kanë rënë pre e skemës së mashtrimit. Në një njoftim për shtyp ata kërkuan që “qytetarët, të cilët janë bërë pre e kësaj skeme mashtrimi nga këta shtetas, të depozitojnë kallëzimet e tyre pranë dy institucioneve SHÇBA dhe Prokurori”.