Gjykata e Kukësit vlerësoi të ligjshëm arrestimin e 20 personave në Kukës të dyshuar për kultivim narkotikësh, dhe vendosi masa arresti me burg për 16 nga të ndaluarit përfshi vëllain e kryebashkiakut të Fushë Arrëzit, masë sigurimi me burg u vendos edhe për dy persona në kërkim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Kukës në një senacë maratonë prej më shumë se 10 orësh ka bërë vlerësimin e ligshmërisë së zbatimit të masës së sigurisë me “arrest në burg” për 20 të ndaluarit, 2 prej të cilëve në mungesë, nga prokuroria pranë kësaj gjykate, për kryerjen e veprës penale “kultivim i bimëve narkotike” në bashkëpunim.
Gjyqtari Florin Demollari pranoi kërkesën prokurores Rita Gjati duke lënë në qeli 16 nga të arrestuarit, ndërsa la me masë detyrim paraqitje dy oficerë policie të arrestuar për shpërdorim detyre, një person u la me masë arresti shtëpie, ndërsa ndaj një oficeri tjetër u vendos pezullimi nga detyra.
Dy punonjësit e policisë, ish shefin e Komisariatit të Policisë së Kukësit Arben Kalaja dhe punonjësi i policisë e këtij komisariati Ramiz Cena, të cilët akuzoheshin nga prokuroria për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Dy punonjësit e policisë, pikërisht Arben Kalaja e Ramiz Cena kanë marrë si masë sigurie “Detyrim Paraqitje”, ndërsa i akuzuari Tarzan Veseli “Arrest Shtepie”.
Avokati Adriatik Cama që mbronte ish shefin e Komisariatit të Kukësit Arben Kalaja i tha “BIRN” se klienti i tij ishte ndaluar me prova inekzistente. “Unë kërkova pushimin e çështjes për klientim tim. Prokuroria e ka akuzuar me prova inekzistente. Nuk është aspak normale që një oficer karriere i policisë që ka sakrifikuar për shtetin të akuzohet me prova të paqena”, tha Cama.
Ndërkohë që masa “arrest në burg” është vlerësuar si e ligjshme për Kreshnik Muratajn, babain e tij Beqir Murataj, Shkelqim Skacin, Sali Kovaçin, Floriand Myftarajn, Zamir Myftarajn, Pal Pergjegjen, Akil Bunën, Arben Bejkon, Durim Vatën, Besart Drenin, Besnik Cokën, Petrit Pashkun, Benard Kordhakun, Shpëtim Topuzin, Zenel Meçen, Adriatik Hoxhën, Rezart Tahirin dhe vëllain e kryebashkiakut të Fushë Arrëzit Arben Tucin.
Ndërkohë me kerkesë të Prokurorisë së Kukësit, gjykata vendosi që dosja të transferohet në SPAK, pasi sipas prokurorisë kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal ku të gjithë të akuzuarit kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Avokatja e shumicës së të akuzuarve Aurora Guska tha për “BIRN” se disa prej klientëve të saj nuk kanë rol aktiv në këtë çështje, ndërsa disa të tjerë pak ose aspak. “Gjatë hetimit do të dalë e verteta dhe pafajësia e tyre”, pretendon avokatja Guska.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me prokurorinë e Kukësit kanë finalizuar të mërkurën operacionin “Shënmëria”, duke arrestuar 19 persona, midis tyre edhe ish-shefi i Komisariatit të Kukësit, aktualisht funksionar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policsë së Shtetit Arben Kalaja, polici i Komisariatit të Kukësit Ramiz Cena dhe Arben Tuci, vëllai i kryetarit të bashkisë së Fushë-Arrëzit.
Hetimi i nisur qysh prej vitit 2018 nga prokuroria e Kukësit, ndaloi persona në Kukës, Pukë, Krujë dhe Lezhë, të cilët sipas organit të akuzës, kundrejt shumave të parave që u jepnin policëve merrnin garanci që të mbillnin parcela me lëndë narkotike në zona të thella të Pukës dhe Kukësit. Një ndër zonat që trafikantët kishin piketuar dhe mbjellë me fidanë hashashi ishte “Kodra e Spasit” në Njësinë Administrative të Malziut në Kukës dhe në Munellë të Pukës.