I akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje të rëndë me dashje, deputeti socialist la qelitë e burgut me vendimin e të njëjtës trupë gjykuese të Gjykatës së Lartë që pati vendosur fillimisht arrestin me burg.
Deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga, i cili qe arrestuar më 5 shtator 2015, la qelitë e burgut sot (23 nëntor), pasi Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga Arrest me Burg në Arrest Shtëpiak.
Vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Lartë nuk është bërë publik dhe arsyet për ndryshimin e masës së sigurisë nuk janë të njohura.
Trupa gjykuese e përbërë nga Edmond Ismailaj, Artan Broci, Mirela Fana, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, vendosi katër me një në favor të arrestit shtëpiak.
E njëjta trupë gjykuese pati vendosur dy muaj më parë të konsiderojë si të ligjshëm arrestimin e Prengës pasi e konsideronte atë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Kolegji Penal vlerëson se në rastin konkret dyshimi i arsyeshëm në caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest me burg’ ndaj shtetasit nën hetim, Armando Prenga, është i mbështetur në prova të një natyre të tillë që, në gjendjen në të cilat ato ndodhen, prej tyre mund të nxirren përfundime se ndaj këtij shtetasi ekziston një shkallë e arsyeshme mundësie fajësie, për kryerjen prej tij të veprave penale ‘prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake’ në ambientet publike, ‘plagosjes së rëndë me dashje’ në bashkëpunim dhe të ‘kanosjes në bashkëpunim”.
Duke theksuar përputhshmërinë e masës “arrest në burg” ndaj deputetit me kërkesat ligjore për caktimin e kësaj mase, Kolegji Penal theksonte se “në rastin konkret plotësohen këto kritere, pasi si vepra për të cilën ka nisur procedimi ndaj personit nën hetim, po ashtu edhe vetë ky i fundit paraqesin rrezikshmëri të veçantë shoqërore”.
Pritet shpallja e vendimit të arsyetuar të kësaj gjykate për të parë se çfarë e ka shtyrë trupin gjykues të ndryshojë mendim. Zakonisht vendimet e gjykatës së lartë kërkojnë shumë kohë për t’u publikuar.
Maksim Haxhia, deklaroi se kolegji i gjykatës së lartë vendosi në bazë të argumenteve të paraqitur nga mbrojtja.
Zëdhënësi i prokurorisë, Albi Seriani, i tha Birn se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk cënon hetimet ndaj prengës pasi të pandehurit i janë komunikuar akuzat dhe së shpejti dosja do të shkojë në gjykatë.
Armando Prenga u arrestua më 5 shtator 2015, i akuzuar se gjatë një sherri me familjen Cali në zonën e Fushë-Kuqes pranë Laçit, sherr i lidhur me të drejtat për shfrytëzimin e lagunës së Patokut për peshkim. Prenga akuzohet se hapi zjarr ndaj disa anëtarëve të familjes Cali, duke plagosur 66 vjeçarin Tom Cali me armë zjarri. Megjithatë, shumë detaje nga ngjarja janë konfliktuale. Disa anëtarë të familjes Cali thanë se plagosja e tyre ndodhi brenda mjediseve të komisariatit të policisë, gjë që mohohet nga policia, e cila thotë se ngjarja ndodhi jashtë komisariatit.
Partia Demokratike në opozitë akuzoi në atë kohë qeverinë se e pati mbrojtur Prengën duke mos lejuar arrestimin e tij nga policia për më shumë se dhjetë orë. Qeveria hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Partia Socialiste vendosi përjashtimin e Prengës nga rradhët e veta.
Laguna e Patokut shfrytëzohej prej dy dekadash për peshkim nga familja Cali, e cila thelemoi edhe një kompani për këtë qëllim në vitin janar të vitit 2004. Por një tender i shpallur në janar të vitit 2015 nga Ministria e Bujqësisë për shfrytëzimin e luginës së Patokut ndryshoi rrjedhën e këtij biznesi.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, fitues i tenderit u shpall kompania “Tenki-01” me administrator Eduard Prengën-vëllai i deputetit socialist Armando Prenga, ndërsa familja Cali e denoncoi publikisht si klientelist këtë tender.
Kuvendi i Shqipërisë i hoqi imunitetin Prengës një ditë pas arrestimit, por ai vijon të mbetet deputet, pasi mandati i deputetit humbet vetëm në rast se ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale.
Gjykata e Lartë është institucioni i ngarkuar nga Kushtetuta që të gjykojë mbi akuzat ndaj deutetëve. Gjatë viteve të fundit, një numër i konsiderueshëm deputetësh kanë përfunduar para kësaj gjykate të akuzuar për vepra penale të ndryshme, si korrupsion apo dhunë dhe në shumicën dërrmuese të rasteve Gjykata e Lartë i ka shpallur të pafajshëm.