Lajm28 Sep 2021

Gjykata e Lartë e rikthen çështjen e Tahirit në Apel

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i dha një fitore proceduriale ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe e gjeti të parregullt vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit. Çështja rikthehet tek një trupë tjetër në Apel.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-ministri Saimir Tahiri dhe avokati i tij, Maks Haxhia pas shtyrjes së vendimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Foto: LSA

“Gjykata hyn, çohuni në këmbë” paralajmëroi hyrjen në sallë të tre anëtarëve të Kolegjit Penal një punonjës i Gjykatës së Lartë, ku u shqyrtua të martën rekursi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Tahiri ishte i pranishëm në sallë së bashku me avokatin mbrojtës, Maks Haxhia. Ndërsa ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u përfaqësua nga dy avokatët Gentjan Romano dhe Petrit Ismaili.

Objekti kryesor i rekurseve të ushtruara në Gjykatën e Lartë prej Tahirit dhe Çelës ishte ligjshmëria e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit si dhe vendimarrja e kësaj të fundit për ndryshimin e akuzave “nga trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim dhe “grupi i strukturuar kriminal” në “shpërdorim detyre”.

Me vendimin e marrë të martën, Gjykata e Lartë i dha një fitore proceduriale Tahirit, ndërsa vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Por Kolegji interpretoi gjithashtu se gjykata mund të bëjë një cilësim të ndryshëm ligjor të fakteve- siç është ndryshimi i akuzës nga trafikimi i narkotikëve në shpërdorim detyre.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë kryesohej nga Sokol Sadushi, me relator Ilir Pandën dhe anëtar Ervin Pupen. Në fillim të seancës u njoftua se kryesuesi Sadushi kishte kërkuar dorëheqjen nga shqyrtimi i rekursit të Tahirit dhe Çelës, por kërkesa e tij ishte rrëzuar nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.  Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim.

Debati në gjykatë

Relatori Ilir Panda bëri fillimisht një pasqyrë të rrethanave procedurale dhe historikut të çështjes, nga momenti i dërgimit të çështjes për gjykim nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda deri në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, që ka çmuar se shkalla e parë ka shkelur dispozitat ligjore në paraqitjen e akuzave të reja dhe se të pandehurve nuk u është dhënë e drejta të mbrohen për këto rrethana dhe fakte.

Sipas Pandës, Tahiri ka pretenduar në rekurs se vendimi i Apelit është marrë në shkelje të procedurave ligjore, ndërsa Çela ka kërkuar gjykimin në themel në Gjykatën e Lartë me pasojë pafajësinë e tij.  Çela kërkoi gjithashtu ndryshimin e masës së sigurisë si dhe prishjen e vendimit të Apelit.

Përfaqësuesi ligjor i Tahirit, avokati Maksim Haxhia deklaroi se në Apel nuk ishte ofruar një proces i rregullt ligjor, pasi anëtarët e trupit gjykues kanë qenë në papajtueshmëri me gjykimin e çështjes. Haxhia vijoi se gjyqtarja Albana Boksi kishte kërkuar dorëheqjen për papajtueshmëri, por kjo kërkesë ishte rrëzuar sipas tij në mënyrë të pabazuar.

Ai pretendoi gjithashtu se edhe gjyqtaret Nertina Kosova dhe Nure Dreni ishin gjendur në kushtet e papajtueshmërisë, pasi kishin shqyrtuar dhe vendosur për masa sigurie për çështje që kishin rrethana e fakte të njëjta. Sipas tij, në vendimin e Apelit është reflektuar dukshëm anshmëria.

“Vetëm këto fakte përbëjnë shkak të mjaftueshëm për prishjen e vendimit të Apelit”, pohoi Haxhia dhe vijoi parashtrimet e tij, duke ngritur pretendime edhe për shkelje të parimeve procedurale.

I pyetur nga kryesuesi Sadushi se përse nuk ishte rekursuar vendimi për mosparanimin e dorëheqjes së gjyqtares Boksi, Haxhia deklaroi se kishte marrë parasysh ngarkesën e madhe të Gjykatës së Lartë dhe se e kishte konsideruar si humbje kohe. Pyetjes nëse vlerësonte se Apeli mund ta zgjidhte vetë çështjen, Haxhia iu përgjigj se nuk lejohej një gjë e tillë, pasi është e mbyllur.

Haxhia e cilësoi të gabuar edhe intepretimin e Apelit për ndryshimin e akuzës. Ai vërejti se shkalla e parë është shprehur për pafajësi lidhur me akuzën e trafikut të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal. Veprën penale “shpërdorim detyre” ai nuk e konsideroi si një gjë të re. “Jemi në gjykim të shkurtuar dhe kemi lehtësim të akuzës,” pohoi Haxhia.

Avokati Haxhia shtoi se Gjykata e Posaçme e Apelit ka dalë nga kufijtë e kompetencave të shqyrtimit. “Apeli është sjellë si gjykatë paraprake. Nuk mund të marrë kompetencë për të verifikuar hetimin e prokurorisë,” theksoi Haxhia dhe kërkoi prishjen e vendimit të Apelit dhe rikthimin për shqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trupë gjykuese.

Avokati i Jaeld Çelës, Gentian Romando tha se u qëndronte konstatimeve të kolegut Haxhia për papajtueshmërinë e trupit gjykues të Apelit. Ai theksoi se nga ky fakt janë shkelur të gjitha garancitë e të pandehurve për një proces të rregullt ligjor.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u përball për herë të parë në Gjykatën e Lartë. Në seancë ishin të pranishëm të dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, ndërsa ky i fundit paraqiti qëndrimin e prokurorisë dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit për rikthimin e çështjes në gjykim në shkallën e parë.

Ai theksoi se më të drejtë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka çmuar se shkalla e parë nuk ka vlerësuar për akuzat e prokurorisë. Sipas Marës, rekurset nuk duhet të pranohen pasi po përdoren për të goditur vendimet e gjykatave më të ulëta.

“Gjykata e Lartë ka kompetencë të njehsojë praktikën dhe jo të shyrtojë akuzat ndaj personave”, tha Mara. Sipas tij, vendimarrja e shkallës së parë mund të riparohet po nga ajo gjykatë.

Sadushi e pyeti Marën lidhur me qëndrimin e tij për pretendimin e të gjykuarve për papajtueshmëri të gjyqtares Boksi në vendimarrje. Sipas prokurorit Mara, nuk ka shkelje procedurale pasi të pandehurit kanë qenë persona të ndryshëm dhe se Tahiri e Çela nuk kanë ushtruar rekurs ndaj vendimit të Apelit për mospranimin e kërkesës për dorëheqje.

Pasi u tërhoq për rreth një orë e gjysmë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të pranojë pjesërisht kërkesat e Tahirit dhe Çelës.

“Çështja e përbërjes së rregullt të trupit gjykues është çështje thelbësore e parimit të gjykatës së caktuar me ligj si pjesë e procesit të rregullt ligjor. Gjyqtari, që në bazë të Kodit të Procedurës Penale ka shkaqe papajtueshmërie sipas nenit 15 të këtij Kodi, nuk mund të jetë pjesë e një trupe gjyqësore e cila mund të japë një vendim të konsideruar të ligjshëm,” deklaroi Sadushi gjatë leximit të vendimit në orën 13:00 të së martës.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë i dha të drejtë shkallës së parë për mundësinë e lehtësimit të akuzave nga trafikim narkotikësh e grup i strukturuar kriminal në shpërdorim detyre.

Ndërkohë, Kolegji rrëzoi kërkesat e tjera në rekursin e Çelës lidhur me shqyrtimin e provave të prokurorisë në Gjykatën e Lartë duke konsideruar se analiza dhe çmuarja e tyre është atribut i gjykatave të faktit. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i shmangu komentet pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

“Do të ndjekim procedurën,” tha ai.