Lajm1 Jun 2021

Gjykata e Lartë ia pason Gjykatës së Posaçme çështjen e Fatmir Mediut

Gjykata e Lartë shpalli moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për revokimin e vendimit të pushimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me shpërthimet vdekjeprurëse në Gërdec.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Partisë Republikane dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Foto: Facebook.

Gjykata e Lartë njoftoi të martën se kishte vendosur në dhomë këshillimi që të shpallte moskompetencën ndaj një kërkese të Prokurorisë së Posaçme, SPAK për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes së Fatmir Mediut lidhur me shpërthimet masive të vitit 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve” në Gërdec, që sollën 26 viktima.

Sipas njoftimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Klodian Kurushi dhe Albana Boksi vendosi gjithashtu që t’i dërgojë aktet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar –duke e konsideruar atë kompetente për shqyrtimin e kërkesës.

SPAK njoftoi më 6 maj se kishte kërkuar në Gjykatë të Lartë rihapjen e çështjes së Mediut, pas depozitimit të një kërkese nga Zamira dhe Feruzan Durdaj. SPAK deklaroi gjithashtu se kishte arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14 shtator 2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Pas tragjedisë së Gërdecit në mars 2008, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, duke e akuzuar atë dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Megjithatë, Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi me rizgjedhjen e tij deputet në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen me argumentin se ai kishte imunitet parlamentar.

Në kërkesën e vet, SPAK argumentoi se Gjykata e Lartë nuk kishte pengesë për të rihapur çështjen e Mediut, pasi imuniteti parlamentar ndaj ndjekjes penale nuk ekziston më në legjislacionin shqiptar. Tashmë, ky pretendim pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.