Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë pati një ngarkesë shumë të madhe çështjesh gjyqësore gjatë vitit 2018, ndërkohë që numri i gjyqtarëve mbetet i kufizuar.
Shqetësimi është ngritur nga Kryetarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Ornela Naqellari gjatë analizës vjetore të punës së këtij institucioni. Sipas të dhënave gjatë vitit 2018 në këtë gjykatë janë shqyrtuar në total 4371 çështje gjyqësore nga vetëm nga 5 gjyqtarë, që sipas Naqellarit konsiderohet ngarkesa më e lartë në vend.
“Kjo duke qenë se organika e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë është e [pa]plotësuar dhe vetëm me miratimin e hartës së re gjyqësore do të jetë e mundur rritja e numrit të gjyqtareve – ashtu siç ne e kemi kërkuar dhe sikurse e tregojnë akoma më shumë dhe vetë këto statistika,” tha Naqellari.
“Duke e krahasuar me gjykatat e tjera në rang vendi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë është numri i lartë i çështjeve që trajtohen nga secili gjyqtar. E përkthyer në shifra korrespondon me mbi 800 çështje të trajtuara nga secili gjyqtar – shifër kjo mjaft e lartë,” shtoi ajo.
Ndërkohë drejtuesi i prokurorisë në Lezhë, Milan Laska ngriti si shqetësim distancën e godinës së prokurorisë dhe gjykatës si dhe mungesën e infrastrukturës në gjykatë.
“Godina e prokurorisë dhe gjykatës janë larg njëra-tjetrës dhe prokuroret ngelin gjithë ditën nëpër gjyqe dhe kanë shumë pak kohë të punojnë në zyrë. I kërkoj gjykatës që të ketë një ambient të paktën ku mund të rrinë prokurorët dhe mos të rrinë nëpër korridore. Ky është problem që duhet të marrë zgjidhje,” tha Laska
Ngarkesa në Gjykatën e Lezhës ka ardhur në rritje që prej mbylljes së gjykatës në Mirditë disa vite më parë, pasi kalimi në varësi të Lezhës i çështjeve gjyqësore të Mirditës nuk është shoqëruar me shtim të numrit të gjyqtareve, duke sjellë edhe këtë problematikë.