Lajm28 Nov 2020

Gjykata e Lezhës kalon në gjykim çështjen kundër mjekes gjinekologe

Gjykata e Lezhës vendosi të kalonte për gjykim çështjen e ngritur ndaj një mjekeje gjinekoloke, e akuzuar për “neglizhencë në trajtimin mjekësorë”. Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes.

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Lezhë | Foto nga : Elvis Hila

Gjykata e Lezhës pranoi të premten kërkesën e prokurorisë për të kaluar në gjykim akuzat ndaj një mjekeje të spitalin Obsetrik Gjenekologjik.

Mjekja gjinekologe me iniciale D.L akuzohet nga prokuroria për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”. Hetimet ndaj saj nisen pas denoncimit nga një grua, e cila kishte humbur foshnjen gjatë shtatzanisë.

Gruaja dhe të afërmit e saj kanë ngritur pretendimin se mjekja nuk e ka trajtuar siç duhet rastin, duke sjellë edhe humbjen e foshnjes.

Pas denoncimit organi i akuzës regjistroi procedimin penal dhe gjatë hetimeve që janë kryer prokurori Bardhok Lleshi ka konstatuar “elementë të vepres penale për të cilët është ngritur akuza, duke e dërguar çështjen për gjykim”.

Në seancen paraprake gjyqësore avokati i mjekes gjinekologe ka kërkuar pushimin e hetimit për vepren penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” me pretendimin se klientja e tij ka vepruar konform rregullave dhe nuk ka patur asnjë neglizhencë për rastin në fjalë.

Por kërkesa e mbrojtjes nuk është pranuar nga gjykatësi, që ka vendosur që çështja të kalojë për gjykim themeli në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë.

Pak muaj më parë Gjykata e Lezhës dënoi me 1 vit burg një mjek të Spitalit Rajonal të Lezhës, për të njëjtën vepër penale, pasi u denoncua nga familjaret e një fëmije tre vjeçar, i cili vdiq gjatë trajtimit mjëkësor.