Lajm12 Sep 2021

Gjykata e Posaçme lë në burg ish-drejtorin e IKMT Dibër

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e IKMT Dibër, Lutfi Miftari dhe Eljo Elezin, administrator i një kompanie minerare të akuzuar për korrupsion.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Foto: LSA

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi të dielën masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e IKMT Dibër, Lutfi Miftari dhe Eljo Elezin, administrator i një kompanie minerare të akuzuar për korrupsion.

Miftari dhe Elezi u arrestuan me urdhër të SPAK të premten, pasi administratori i kompanisë “H4 CHROM” dyshohet se i ka dhënë 50 mijë lekë të reja drejtorit të IKMT-së Dibër në këmbim që ky mos të fillonte procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt.

Një grup kontrolli i IKMT-së kishte konstatuar se kompanisë i mungonte leja mjedisore dhe dokumente të tjera sipas policisë.

Si pasojë e arrestimit, Lutfi Miftari u shkarkua më vonë nga Kryeinspektori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Ajet Zyberaj.

Gjithashtu policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e Miftarit shumat prej 29.500 euro, 1,300 dollarë dhe 89,600 lekë. Dy të arrestuarit akuzohen për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Miftari më parë ka mbajtur detyrën e drejtorit të Shërbimit Pyjor në Bashkinë e Bulqizës.

Prej muajit maj të këtij viti, ish-drejtori i IKMT-së në qarkun e Dibrës, Lutfi Miftari, ka qenë në përplasje të vazhdueshme me Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Dibrës. Ai i akuzoi ata vazhdimishit se nuk kishin marrë asnjë masë për frenimin e ndërhyrjeve në territor dhe kishin lejuar ndërtime pa leje. Pas kallëzimeve të Miftarit, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër dhe Policinë, tetë punonjës dhe ish-punonjës të IVMT-së Dibër u proceduan penalisht.