Një gjykatë në Kosovë dënoi me kusht katër deputetë të opozitës, të shpallur fajtorë se përdorën gaz lotsjellës në parlament në vitin 2015.
Të mërkurën Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtorë katër deputetë nga partia kryesore e opozitës Vetëvendosje – ku Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli u dënuan për hedhjen e gazit lotsjellës në parlament në vitin 2015.
Dënimet janë me kusht dhe nuk përfshijnë burgun.
Kurti dhe Kadaj-Bujupi kanë marrë dënime me kusht prej 18 muajsh, Haxhiu prej 15 muajsh dhe Topalli prej 14 muajsh për përdorimin e armëve dhe për pengimin e një zyrtari/e gjatë kryerjes së detyrave të tij/saj.
Dënimet janë me kusht për dy vjet, që do të thotë se ata do të dënohen me burg nëse kryejnë një krim tjetër gjatë kësaj periudhe.
Asnjë nga deputetët e akuzuar nuk u paraqit në gjykatë kur u shpall vendimi.
Deputetët hodhën gaz lotsjellës në shenjë proteste kundër planeve për të ratifikuar një marrëveshje kontroverse me Malin e Zi për kufirin, i cili dyshohet se i merr Kosovës një tokë në kufi dhe krijon një shoqatë autonome të komunave me shumicë serbe.
Kurti, ish-lider i Vetëvendosjes dhe Kadaj-Bujupi u liruan nga paraburgimi më 29 dhjetor pas arrestimit të tyre më 24 nëntor. Mandatarrestet e tyre u lëshuan në nëntor kur ata nuk u paraqiten në gjykatë.
Në nëntor të vitit 2015, pavarësisht se kishte një urdhër arresti, Kurti mori pjesë në një miting dhe iu drejtua protestuesve nga skena.
Ai u mbajt për 30 ditë pasi forcat speciale sulmuan selinë e partisë Vetëvendosje, duke u përplasur me mbështetësit e saj. Rreth 100 përkrahës të opozitës, disa prej të cilëve u përpoqën të ndalonin arrestimin e Kurtit, u arrestuan gjithashtu.