Reportazh8 Mar 2021

Gjykata e re përballet me probleme të vjetra në mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë

Nën kritikat e ashpra të politikanëve, në një atmosferë gjithnjë e më armiqësore në Kosovë, Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë duhet të arrijnë marrëveshje me vendet e BE-së për të zhvendosur dëshmitarët dhe familjet e tyre për t'u siguruar që ata të mund të dëshmojnë pa frikë nga kanosjet.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë
Printo

Foto nga momenti i arrestimit të Hysni Gucatit. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.

Në një konferencë konfidenciale për diplomatët europianë në Hagë muajin e kaluar, presidentja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, paralajmëroi se gjykata është përballur me përpjekje të shtuara nga brenda Kosovës për të penguar procedurat ligjore që janë në vazhdim e sipër.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan, nën presion të madh nga mbështetësit perëndimorë të Kosovës, për të gjykuar ish-guerilasit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe pas luftës nga 1998 deri në 2000.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale nuk shihet me sy të mirë në Kosovë, ku ajo konsiderohet si një përpjekje për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së për liri nga shtypja serbe. Kjo gjykatë shkaktoi polemika të mëtejshme kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i parlamentit Kadri Veseli, të dy figura të larta të UÇK-së gjatë kohës së luftës, u dërguan në Hagë vitin e kaluar për t’u përballur me akuza.

Në një transkript të rrjedhur të takimit të 11 shkurtit të publikuar nga Euronews, Trendafilova dha alarmin se si përpjekje nga ana e politikanëve për ta zhvendosur gjykatën në Kosovë ose për të falur këdo që ajo mund të dënojë mund të ndikojnë në sigurinë e dëshmitarëve.

“Kjo sigurisht që do të vërë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt tronditës mbi dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë më të dëshmojnë, duke e bërë kështu të pamundur që prokurori i specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, paralajmëroi ajo.

Trendafilova u kërkoi kombeve europiane të marrin në kosnideratë “marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi” në mënyrë që dëshmitarët dhe familjet e tyre të mund të zhvendosen në Europën Perëndimore.

“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë, nëse jo e pamundur në disa raste, të garantojmë që dëshmia të mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë”, tha ajo.

Gjykata Speciale nuk pranoi të diskutojë nëse sigurimi i marrëveshjeve të tilla të bashkëpunimit është ende një sfidë.

“Lidhur me marrëveshjet me vendet e BE-së, ne nuk mund të komentojmë mbi çështjet operacionale”, tha Angela Griep, një zëdhënëse e Dhomave të Specializuara.

Megjithatë, ajo ka përsëritur se “mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është përparësia më e madhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

“Dyshimet e dëshmitarëve do të shtohen”

Rexhep Selimi (lart), Kadri Veseli (poshtë majtas), Hashim Thaçi (në qendër) dhe Jakup Krasniqi (djathtas), në një konferencë statusi të gjykatës në distancë nga qendra e paraburgimit e KB në Hagë. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/ Screenshot.

Për shkak të kohës që ka kaluar që nga krimet dhe mungesës së provave materiale, prokurorët do të mbështeten shumë te dëshmitarët okularë. Shumë besohet se janë zhvendosur tashmë jashtë Kosovës dhe disave do t’u jepet identiteti i ri.

Mbrojtja dhe zhvendosja e dëshmitarëve ishte njëra prej arsyeve kryesore pse Dhomat e Specializuara u krijuan jashtë Kosovës dhe kanë staf ndërkombëtar, megjithëse janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Gjyqet e mëparshme të ish-guerilesve të UÇK-së si brenda Kosovës ashtu edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë janë dëmtuar nga kanosja e dëshmitarëve.

Në disa raste, edhe pasi u zhvendosën, atyre iu afrua ndonjë i afërm ose të tjerë që u përpoqën t’i bindnin ata të tërhiqnin dëshmitë e tyre fillestare.

Në vitin 2008, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë paditi Astrit Haraqiajn, një ish-ministër në Kosovë dhe gazetarin Bajrush Morina për shpërfillje të gjykatës duke manipuluar një dëshmitar gjatë gjykimit të ish-komandantit të UÇK-së, tashmë të kthyer në politikan, Ramush Haradinaj, dhe të tjerëve, ndërsa gazetari Baton Haxhiu u akuzua për zbulimin e identitetit të një dëshmitari. Të tre u dënuan.

Raste si ky janë shembuj të sfidës së mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë, një vend i vogël me komunitete tepër të lidhura, ku identiteti i dëshmitarëve rrallë mbetet sekret edhe nëse ata zhvendosen.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi me qendër në Prishtinë, tha se nëse Dhomat e Specializuara vazhdojnë të merren me çështjen e marrëveshjeve të zhvendosjes, kjo ngre pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e kësaj gjykate.

“Është për të ardhur keq që edhe para se të fillojnë gjyqet, presidentja e gjykatës po shpreh shqetësimet e saj rreth funksionimit të gjykatës dhe që këto deklarata të bëhen publike”, tha Miftaraj për BIRN.

“Kjo do të ndikojë te dëshmitarë, duke rritur dyshimet e tyre në lidhje me profesionalizmin e gjykatës në ofrimin e sigurisë gjyqësore dhe fizike për ta”, tha ai.

Marrëveshjet e zhvendosjes ishin sfida kryesore kur sistemi gjyqësor i Kosovës drejtohej nga një mision i Kombeve të Bashkuara, dhe më vonë nën mandatin e EULEX-it.

Jean-Christian Cady, Kreu i Drejtësisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nga viti 2000 deri në vitin 2004, tha se vendet nuk ishin të gatshme të bënin ndonjë marrëveshje me misionin për të pranuar zhvendosjen e dëshmitarëve.

“Mbrojtja e dëshmitarëve dhe zhvendosja e tyre ishte e vështirë, sepse shumica e shteteve nuk ishin shumë bashkëpunuese me UNMIK-un”, tha Cady për BIRN.

Cady tha se asistimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës për të zhvendosur dëshmitarët duhet të jetë i një “rëndësie e madhe për vendet e BE-së” që lobuan për krijimin e gjykatës.

“Megjithatë, mënyra më e mirë për të pasur më shumë dëshmitarë do të ishte t’i ndihmonim ata të zhvendoseshin dhe t’u jepej azil në BE, sepse nëse kthehen në Kosovë, ata mund të kërcënohen ose të vriten”, shpjegoi Cady.

Më shumë shqetësime u ngritën kur Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mori disa dosje konfidenciale çështjesh gjyqësore nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe u kërkoi mediave në Kosovë t’i publikonin ato, duke zbuluar potencialisht emrat e dëshmitarëve të mbrojtur.

Kreu dhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u arrestuan në nëntor dhe tani po gjykohen për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.

Autori që nxori dosjet konfidenciale nga gjykata e Hagës nuk është identifikuar publikisht deri më tani.

Zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi gjithashtu dokumente në nëntor që akuzonin Hashim Thaçin dhe të pandehurit e tjerë me të për përpjekje për të ndërhyrë te dëshmitarët e mundshëm të prokurorisë para gjyqit të tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit tha se guerilasit e kthyer në politikanë “kishin ndikim të madh mbi ish-anëtarët e UÇK-së dhe Kosovën në përgjithësi” dhe i akuzoi ata se kishin “lehtësuar dhe inkurajuar në mënyrë aktive një klimë pandëshkueshmërie dhe kanosjeje”.

Ajo pretendoi se “zyrtarë qeveritarë besnikë ndaj Thaçit dhe Veselit dhënë pagesa qeveritare korruptuese” dhe kanë ofruar vende pune për të ndikuar te dëshmitarët e mundshëm të prokurorisë.

“Ata duhet të dalin garant për jetën e dëshmitarëve”

Mejreme Zogaj, vëllai i të cilës vdiq ndërsa ishte dëshmitar i mbrojtur në një gjyq krimesh. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Mejreme Zogaj kujton se ishte një ditë e ngrohtë në prill të vitit 2010 kur vëllai i saj Agimi, i njohur në gjyqin për krime lufte të dhjetë ish-guerilasve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “Dëshmitari X”, u largua nga Kosova.

Pasi u fsheh për vite të tëra, përpjekjesh për ta vrarë, korruptuar dhe presione të tjera, Zogaj u zhvendos në Gjermani nën një program për mbrojtje të dëshmitarëve.

Por, pavarësisht kësaj, sekreti i identitetit të tij si dëshmitari kryesor në gjyqin në Prishtinë të ish-guerileve ku përfshihej edhe Fatmir Limaj, një tjetër ish-komandant i UÇK-së që më vonë u bë një politikan i fuqishëm, ishte nën kërcënim.

Gjashtë muaj më vonë, Zogaj u gjet i varur në një pemë në një park në qytetin perëndimor gjerman të Duisburgut, një muaj para se të fillonte gjyqi i tij. Në fund, Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm.

Autoritetet gjermane vendosën që vdekja e Zogajt ishte vetëvrasje, por familja e tij pretendon se ai u vra.

“Nuk e besova kurrë këtë. Nuk mund të jetë e vërtetë”, tha Zogaj për BIRN në shtëpinë e saj në Lipjan.

Ajo beson se vetëm zhvendosja e vëllait të saj nuk ishte e mjaftueshme për ta mbrojtur atë.

“Kur vendosin ta zhvendosin dikë jashtë vendit, ata duhet të dalin garant për jetën e tij. Përndryshe nuk mund të quhet mbrojtje”, tha ajo.

“Shpresoj që gjykata e re të ketë mësuar nga tragjedia e të tjerëve si vëllai im”, shtoi ajo.

EULEX ka refuzuar vazhdimisht të diskutojë vdekjen e Zogajt ose nëse ai ishte nën mbrojtjen e tij në atë kohë.

Në vend, Kosova ka krijuar një njësi për mbrojtjen e dëshmitarëve brenda Policisë së Kosovës, por ajo po përballet me sfida të mëdha për të siguruar fonde të mjaftueshme.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës nuk pranoi të përgjigjej nëse Kosova së fundmi ka arritur ndonjë marrëveshje ndërkombëtare ose rajonale në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *