Nën masa të rrepta sigurie, Gjykata e Shkodrës zhvilloi një seancë për masat e sigurisë së të akuzuarve si pjesë e grupit Bajri pas shpalljes së moskompetencës nga SPAK.
Nën masa të rrepta sigurie, Gjykata e Shkodrës konfirmoi masat e sigurisë për anëtarët e akuzuar të grupit “Bajri”, çështje e cila mbërriti në gjykatën e shkallës së parë pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Shkak për dërgimin e çështjes në Shkodër u bë rrëzimi i akuzës së “grupit të strukturuar kriminal” për të pandehurit e kësaj dosjeje.
Të mërkurën, Gjykata e Shkodrës la në fuqi masën e “arrestit me burg” për Ilir Bajrin, Safet Bajrin, Behar Bajrin, Astmer Bilalin, Sirjan Aliajn dhe Emrah Plaku. Gjykata vendosi masën e “arrestit shtëpiak” për Jonida Muratin, e akuzuar si bashkëpunëtore, ndërsa mjeku Senad Hallunaj, kryeinfermierja Florine Hoxha dhe financierja Mira Nikaj në “detyrim paraqitje”.
Më herët, avokatët e të pandehurve kërkuan lehtësimin e masave të sigurisë për shkak të rrëzimit të njërës prej akuzave, por Gjykata e Shkodrës la në fuqi masat e dhëna më parë në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda.
I ashtuquajturi grupi Bajri u akuzua për vrasje dhe gjobëvënie nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, por në SPAK u argumentua se nuk ka prova që të akuzuarit kanë bashkëpunuar në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.
Përpara dhe gjatë séancës, policia rrethoi gjykatën duke shtuar sigurinë. Ndërkohë, gjyqtari Besim Troka vendosi që seanca e vlerësimit të masave të sigurisë të bëhej me dyer të mbyllura.