Gjykata e Shkodrës vendosi masë sigurie me afat 30 ditë ndaj tre të arrestuarave pas një aksioni të mediatizuar si goditje e grupeve kriminale të enjten në Shkodër, ndërsa la me masë arrest shtëpie njërin prej tyre. Masa e sigurisë me afat u dha pas kërkesës së prokurorisë për më shumë kohë për prova, ndërsa mbrojtja pretendoi lirim të menjëhershëm të të arrestuarve.
Gjykata e Shkodrës vendosi masë sigurie me afat 30 ditë ndaj tre të arrestuarave pas një aksioni të mediatizuar si goditje e grupeve kriminale të ejten në Shkodër, ndërsa la me masë arrest shtëpie njërin prej të ndaluarve, duke sfumuar deklaratat e prokurorisë dhe policisë që pretendonin se ndërhyrja u bë pas disa muaj hetimesh.
Gjykata vendosi arrest shtëpie për Astmer Bilali dhe arrest me burg për 30 ditë për Ilir Bajri (Rustemin), Emrah Plaku dhe Erogen Brajoviç ish-këshilltarë i Bashkisë Shkodër. Prokuroria kërkoi në seancë kohë për të marrë ekspertizën e fishelëve dhe armëve që iu kapën të arrestuarve, ndërsa avokatët e tyre kërkuan lirim të menjëhershëm duke këmbëngulur se nuk kishte akuzë dhe prova.
Aksioni i cili kërkoi përfshirjen e dhjetra forcave speciale policiore dhe mjeteve të blindura gjatë të cilit u arrestuan katër përsona, u sekuestruar disa makina të blinduara, tre armë dhe një sasi fishekësh, erdhi pas një serie vrasjesh pa autorë në Shkodër.
Policia dhe prokuroria e Shkodrës lanë të kuptohej në dy njoftime për shtyp se arrestimit kishin lidhje me serinë e krimeve të fundit në qytet, ndërsa njoftuan se kishin marrë leje nga gjykata për 19 kontrolle banese.
Prokuroria e Shkodrës bëri me dije se arrestimit dhe kontrellet ishin bërë “mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm të deduktuar nga provat e administruara deri në këtë moment procedural”. Por as ajo as policia që e kodoi operacionin si pjesë e aksioneve të strukturës speciale “Forca e Ligjit” e krijuar enkas për të goditur organizatat kriminale nuk bënë me dije akuzat. Forca e Ligjit u ngrit në fund të vitit të shkuar, por rezultatet e saj të deri tanishme janë të dyshimta.
Krimet e fundit në Shkodër u bënë pjesë e përplasjeve politike pasi opozita, në fillim të muajit organizoi një mbledhje në këtë qytet dhe akuzoi qeverinë për krimet, ndërsa pretendoi edhe për lidhje të personave pas vrasjeve me anëtarë të shumicës. Kreu i PD Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama për lidhje me krimin.
Ndërkohë kryeministri, i cili replikoi në Twitter duke publikuar disa tabela me statistika që sipas tij rrëzonin pretendimin e opozitës për rritje të krimit, i mbështeti pretendimet e tij te aksioni i fundit. “E vërteta e shifrave të krimit dhe rezultateve në vite të policisë në Shkodër flet qartë, paçka se s'çan dot në tregun mediatik. Sot Policia e Shtetit ka folur përsëri me vepra”, shkroi Rama duke pretenduar se statistika e një numri më të ulët vrasjesh po censurohej.
Brenda 3 muajsh në Shkodër 6 persona u vranë në krime në dukje mafioze dhe të mbetura pa autorë, ndërsa dy persona, babë e birë, janë të zhdukur që nga mbrëmja e 23 gushtit.
Oficerë të policisë Shkodër, në kushtet të anonimatit, i thanë BIRN se krimet ishin pjesë e përplasjes mes dy grupeve kriminale. Sipas oficerit të policisë, konflikti ka filluar në Janar të këtij viti dhe është pasuar me një sërë vrasjesh, përfshi atë të një ish-oficeri policie dhe bashkëshortes së tij, ndërsa po ashtu ka pasur edhe disa atentate me eksploziv.
Dy prej të ndaluarve kanë precedent penalë. Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër është arrestuar në vitin 2006 për vrasjen e Pal Kosteri dhe u dënua fillimisht me 24 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës, por dënimi që u reduktua në 22 vjet në Apel, u prish nga Gjykata e Lartë në vitin 2010. Nga të dhënat gjyqësore rezulton se Rustemi u dënua sërish, por nuk është e qartë sa kohë dënimi vuajti ai, ndërsa në rregjistrat e Gjykatës së Faktit dhe Apelit në Shkodër dhe asaj të Faktit në Lezhë, ai rezulton se ka përfituar disa ulje dënimi, ndërsa është gjykuar dy herë për arratisje nga burgu dhe një herë të tretë për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë edhe Astmer Bilali, 29 vjeç, i cili u la nga gjykata me masë sigurie arrest shtëpie, ka qenë i dënuar për plaosje.