Aleksandër Vulaj u la me masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Tiranës. Ai kërkohet në Miçigan të SHBA për shpërndarje të 5 kilogramëve kokainë.
Gjykata e Tiranës caktoi të premten masë e sigurisë së arrestit me burg ndaj Aleksandër Vulaj, një shqiptari nga Mali i Zi i shpallur në kërkim në Miçigan SHBA për shpërndarje narkotikësh.
Gjyqtari Arben Mickaj pranoi kërkesën e prokurorisë për të mbajtur në qeli Vulaj, i cili u arrestua nga policia në qarkun e Shkodrës 4 ditë më parë. Ndaj Aleksandër Vulajt kishte një kërkesë arresti nga SHBA që prej qershorit të këtij viti, por ai ishte larguar nga vendi.
Më 20 gusht një gjykatë e Distriktit Lindor në Miçigan pranoi një kërkesë për të lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për Vulaj. Procedura e parashikuar në këtë rast i lejon Departamentit të Shtetit dhe autoriteteve policore në një vend të tretë, në këtë rast Shqipërisë, të njihen me dosjen dhe urdhër arrestin. “Me qëllim gjetjen, arrestimin dhe ekstradimin e të akuzuarit”, thuhet në dokumentin përkatës të Gjykatës së Distriktit Lindorë Miçigan.
Në urdhër arrestin për Aleksandër Vulaj, njohur edhe si Leksi Vulaj thuhet si ai akuzohej se ishte përfshirë sëbashku me persona të tjerë në shpërndarjen e më shumë se 5 kilogramëve të një përzierje e cila përmbante edhe kokainë.