Disa ish-liderë të Agimit të Artë kanë marrë dënime të gjata me burg në fund të një gjykimi që zgjati pesë vjet.
Një javë pasi një gjykatë në Athinë e shpalli partinë neo-naziste një organizatë kriminale, liderë dhe anëtarë të Agimit të Artë u dënuan të mërkurën me shumë vite burg.
Nikos Michaloliakos, lideri i përjetshëm i Agimit të Artë, Ioannis Lagos, një eurodeputet i pavarur, dhe katër ish-deputetë të tjerë u dënuan me nga 13 vjet burg secili për drejtimin e një organizate kriminale.
Një ish-deputet tjetër u dënua me dhjetë vjet burg. Njëmbëdhjetë ish-deputetë të tjerë u dënuan me nga pesë deri në shtatë vjet burg.
Gjyqi ka zgjatur për më shumë se pesë vjet dhe asnjë nga ish-deputetët nuk ishte i pranishëm në gjykatë kur u dhanë dënimet.
Giorgos Roupakias, një autor i sulmit fatal me thikë në 2013 ndaj një rreperi antifashist, Pavlos Fyssas, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen. Atij iu dha një dënim shtesë prej dhjetë vjetësh burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Pesë anëtarë të tjerë të partisë u gjetën fajtorë për sulmin e dhunshëm ndaj tre peshkatarëve egjiptianë në vitin 2012, pasi u akuzuan për vrasje në tentativë. Katër të tjerë u dënuan për shkaktimin e dëmtimeve trupore në një sulm ndaj anëtarëve të Partisë Komuniste të Greqisë në 2013.
Tridhjetë e tetë anëtarë të Agimit të Artë u dënuan për anëtarësim në një organizatë kriminale, disa për armëmbajtje pa leje dhe prishje të paqes.
Në gjyq ishin një total prej 68 personash. Seancat pritet të vazhdojnë të premten dhe priten arrestime të tjera.
Agimi i Artë u formua në vitet 1980 dhe për vite me radhë nuk ka qenë pjesë e jetës politike të Greqisë, edhe pse sulmi i parë i dhunshëm i lidhur me anëtarët e saj daton nga viti 1996.
Në vitet 2000, kur vendi u prek nga kriza ekonomike, partia u rrit dhe u bë e treta më e madhe në Greqi, duke përfituar nga ndjenja në rritje kundër emigrantëve dhe zhgënjimi nga ai që konsiderohej si një establishment politik i korruptuar. Partia qe për shtatë vjet pjesë e parlamentit, nga viti 2012 deri në vitin 2019.
Ndërsa gjyqi zvarritej, partia u nda dhe ish-deputetët kryesorë Lagos dhe Ilias Kasidiaris krijuan partitë e tyre. Ish-anëtarë të tjerë kryesorë u përpoqën të shkëputnin lidhjet e dukshme midis tyre dhe Agimit të Artë.
Vendimet janë konsideruar si më të rëndësishmet në vend në dekada dhe ky konsiderohet gjyqi më i madh i neo-nazistëve në BE që nga koha e “gjyqeve të Nurembergut” të kohës së Luftës së Dytë Botërore.