Lajm17 Jan 2018

Gjykata kroate liron nga akuzat priftin që mbrojti ustashët

Një gjykatë në Split ka liruar nga akuzat një prift katolik për prishje të rendit publik, pasi gjatë një predikimi ai mbrojti shtetin fashit kroat të kohës së luftës.

Autor: Sven Milekic BIRN Zagreb
Printo

Luka Prcela duke mbajtur meshën e diskutuar në maj 2016. Foto: Youtube screenshot

Jasenka Pavloviç, një gjykatëse në gjykatën e magjistratëve në Split, liroi atë Luka Prcela nga akuzat në lidhje me deklaratat gjatë një predikimi i akuzuar se ka mbrojtur Shtetin e Pavarur të Kroacisë, NDH, shteti i kohës së Luftës së Dytë Botërore i themeluar në Kroaci nga Gjermania Naziste dhe Italia gjatë vitet 1940.

Në një predikim të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni publik Radio Televizioni Kroat, HRT, në maj 2016, Prcela kishte kritikuar një deklaratë të mëhershme të presidentes kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, e cila pohonte se NDH-ja “nuk ishte i pavarur” – pasi mbështetej në boshtin e fuqive – dhe “ishte kriminal”.

Atë Prcela tha se “nuk mund ta falte Kolinda Grabar Kitaroviçin” për ato fjalë, duke shtuar: “Kush thotë se shteti i sotëm kroat është më i pavarur sesa ai që ekzistoi nga viti 1941 deri në vitin 1945?”

Ai më pas vazhdoi duke thënë se nuk ishin fashistët ustashë në Kroaci ata që “kishin hedhur bombën në Hiroshima dhe Nagasaki”.

Prcela këmbënguli më tej se NDH-ja ishte një shtet i ligjshëm, njihej ndërkombëtarisht dhe se nuk kishte vrarë asnjë jashtë kufijve të vendit.

Një gazetare e pavarur, Natasa Skariciç, ngriti akuza kundër Prcelës.

Zyra e avokatit të shtetit arriti në përfundimin se për sa kohë deklaratat e tij nuk përbënin një vepër penale, ai duhej të paditej për prishje të rendit publik, e cila dënohet me një gjobë maksimale prej 100 eurosh.

Megjithatë, gjyqtarja Pavloviç vendosi se deklarata e tij nuk mund të sanksionohej pasi ajo binte në kategorinë e garantuar me kushtetutë të lirisë së mendimit.

Gjyqtarja ra dakord se “predikimi u dënua nga një pjesë e publikut”, por shtoi se ai ishte “thjesht shprehja e një individi, e garantuar me nenin 38 të Kushtetutës që garanton lirinë e mendimit dhe të shprehjes së mendimit” .

Prifti kishte “të drejtën e mbrojtur të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike, që nënkupton edhe shprehjen e pikëpamjeve që në përgjithësi nuk pranohen”, përfundoi gjyqtarja Pavloviç.

Pasi zyra e avokatit të shtetit ka apeluar, gjykata më e lartë e magjistratëve do të vendosë për çështjen.

NDH-ja e qeverisi Kroacinë nga viti 1941 deri në vitin 1945 dhe përgjithësisht kujtohet vetëm për mizoritë që u kryen kundër serbëve, romëve dhe të majtëve, të paktën 80,000 prej të cilëve u vranë në kampin e përqendrimit të vendosur në Jasenovac, edhe pse shifrat e sakta mbeten ende të diskutueshme.

Ekzistenca e tij si shtet nuk u njoh kurrë jashtë kampit të boshtit, ose edhe nga Vatikani, i cili mbajti marrëdhënie nëpërmjet një të dërguari të Papës dhe jo një ambasadori.

Pavarësisht kësaj, një numër i vogël priftërinjsh në Kroaci kanë vazhduar të lavdërojnë ose të mbrojnë lëvizjen ustashe ose të paktën të minimizojnë krimet e tyre – pjesërisht për shkak të mizorisë së regjimit komunist që zaptoi Jugosllavinë në vitin 1945.