Gjykata Kushtetuse njoftoi se nuk mund të merrte një vendim mbi përplasjen e kompentecave për zgjedhjen e anëtarëve të saj, por duke iu referuar Kushtetutës pranoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të saj.
Gjykata Kushtetuse njoftoi të premten se nuk mund të merrte një vendim mbi përplasjen e kompentecave të institucioneve për zgjedhjen e anëtarëve të saj, por duke iu referuar drejtpërdrejt Kushtetutës, si ligji i vetëm të cilit i nënshtrohet, pranoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të saj. Menjëherë pas njoftimit gjykata publikoi edhe listën për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin që vjen dhe renditi aty Xhaferllarin dhe jo Arta Vorpsin.
Njoftimi për shtyp i gjykatës u bë disa orë pasi Kuvendi i kërkoi asaj të mos njihte dekretin e Metës dhe ta cilësonte atë nul dhe të pranonte si anëtare Arta Vorpsin që sipas Kuvendit mund të quhej e zgjedhur për shkak se Presidenti Ilir Meta tejkaloi afati 30 ditorë të parashikuar në ligj dhe se Xhaferllari u dekretua duke marrë presidenca kompetecat që i njihen vetëm KED-së.
Gjykata, e cila është e vetmja që mund të zgjidhë ngërçin e krijuar prej përplasjes mes presidentit, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe shumicës parlamentare, bëri me dije se ende nuk mund ta shqyrtonte këtë konflikt në mungesë të kuorumit.
“Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Më tej duke cituar shprehimisht faktin se Gjykata Kushtetuese i “nënshtrohet vetëm Kushtetutës” dhe duke lënë të kuptohej se i referohej nenit 129: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, gjykata ka pranuar Xhaferllarin si anëtare. Kjo i jep zgjidhje situatës momentale në të cilën u vendos gjykata, ndërsa çështje e përplasjes së kompentencave shtyhet për tu shqyrtuar kur gjykata të plotësohet me anëtarë të tjerë.
“Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Pak pasi gjykata doli me këtë njoftim u publikua edhe lista e anëtarëve të saj që mund të shortohen për të qenë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të vitit 2019. Në listë janë emrat e Vitore Tushës, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese; Besnik Muçit i dekretuar sëfundmi nga presidenti, Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit të zgjedhura nga Kuvendi dhe Marsida Xhaferllarit të dekretuar nga Meta, por e kundërshtuar nga shumica parlamentare si shkelje e ligjit prej Presidentit.
Në një konferencë për shtyp, ku njoftoi se do të kallëzonte penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvoranin, për shpërdorim detyre, Meta nuk e komentoi veprimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai megjithatë mbrojti zgjidhjen e tij, duke kundërshtuar zërat se Xhaferllari ishte e pozicionuar politikisht.
Meta ndërkohë akuzoi Dvoranin për një sërë shkeljesh dhe premtoi se të hënën do të dorëzonte padinë. “Në këto kushte i njohur me këto fakte. Dorëzimin do ta bëjmë ditën e hënë për të shqyrtuar për prova të tjera apo persona të tjerë që mund ta meritojnë të merren në përgjegjësi penale”, tha ai.
Në një njoftim për shtyp Dvorani tha se “Si çdo shtetas tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim”. Ndërsa ironizoi Metën se më në fundt “po ushtron një të drejtë që ligji ia njeh kujdo”.