Lajm13 Jan 2020

Gjykata lë në burg 6 oficerë policie të ndaluar për “shpërdorim detyre”

Gjashtë oficerë policie dhe dy persona të tjerë, të akuzuar se kanë lejuar ndërtimet pa leje në zonën e Durrësit, u lanë në qeli nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndaj 10 personave të tjerë u caktua masë sigurie “detyrim paraqitjeje”.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Gjatë seancës për masë sigurie. Foto Geri Emiri

Gjykata e Durrësi la me masën “arrest me burg” 8 nga 18 personat e 9 janar në Shijak dhe Durrës. Në seancën gjyqësore që nisi në orën 9:30 të së dielës dhe që zgjati 11 orë, punonjës policie, zyrtarë vendor dhe ndërtues u njohëm me dyshimet se lejuan ndërtime pa leje në Durrës, Manëz dhe Shijak.

Ata akuzohen nga prokuroria për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Ndërtim të paligjshëm”. Në seancën gjyqësore që drejtohej nga gjyqtari Paulin Çera një pjesë e të dyshuarve qëndruan në karriget për publikun, përgjatë seancës që u zhvillu me dyer të mbyllura. Ndërkohë Agim Osmani me detyrë ndihmës specialist në Komisariatin e Policisë Durrës e la shpejt sallën e gjyqit, si pasojë e problemeve shëndetësore, ndërsa u shoqërua në ambientet e Urgjencës Durrës.

Në fund gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 6 punonjës policie dhe sekretarin e Njësisë Administrative Sukth, Gjergj Gërco dhe shtetasi Adem Lika, në cilësinë e ndërtuesit pa leje. 10 persona të tjerë u liruam dhe u caktuan me masë detyrim paraqitjeje,

Vendimin e gjykatës një pjesë e avokatëve dhe vetë prokurori i çështjes e konsideruan si të drejtë, duke ju referuar kryesisht personave të akuzuar për ndërtime pa leje. “Të akuzuarit për ndërtim pa leje janë gati në kushtet e kundërvajtjes penale dhe u arrestuan për t’i shërbyer hetimit, nëse do të bashkëpunonin. Ky ishte qëllimi dhe jo për t’i mbajtur në burg”, komentoi për BIRN prokurori i çështjes, Afrim Shehu, pas shpalljes së vendimit gjyqësor.

Por të tjerë të akuzuar i kundërshtuan akuzat dhe masën e sigurisë. Një prej të akuzuarve në sallë u shpreh i pakënaqur me vendimin, duke e cilësuar “drejtësi si e Erdoğan-it” dhe shprehu pakënaqësi edhe ndaj përfaqësuesit në gjyq të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.

Të enjten më 9  janar, u ndaluan 11 punonjës policie, 4 të Komisariatit Durrës, 4 punonjës të Postës së Policisë Manëz dhe 3 punonjës të Komisariatit të Policisë Shijak, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”. Po ashtu u arrestuan edhe kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Shijak, Marjus Shahini dhe vartësi i tij, Jul Kacdedja.

Pesë persona u arrestuan me akuzën e ndërtimit pa leje.

Hetimi që u udhëhoq nga prokurori Afrim Shehu nisi në shtator 2019 për zyrtarët e policisë, inspektorët vendor, përfaqësuesit e pushtetit lokal e ndërtuesit, në bazë të një referimi nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Sektori Durrës.

Pas hetimit disa mujor, nëpërmjet përgjimit telefonik dhe vëzhgimit në ambiente publike të objekteve dhe personave të dyshuar, prokuroria ngriti akuzë për 18 persona “se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, zyrtarët dhe ndërtuesit kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”.

Vendimi i gjykatës Durrës për 18 personat e arrestuar:

Arrest me burg

Agim Osmani – Specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Dishir Dakoli – Specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Haxhi Shera – Ndihmës specialist i komisariatit Shijak.

Petrit Neziri, Ndihmës Specialist Policia Manzë.

Ndriçim Shika – Ndihmës Specialist, Policia Shijak.

Ermand Petova – Specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Manzë.

Gjergj Gërco – Sekretar i Njësisë Administrative, Sukth.

Adem Lika – Ndërtues pa leje.

U lanë të lirë

Besnik Domi, Shef i Rendit në Shijak – “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbim publik”  dhe detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Sami Xhafa, Shefi i Stacionit të Policisë në Manzë – “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbim publik” dhe detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Nikoll Marku – Specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Manzë – “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbim publik” dhe detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Jul Kacadej, Specialist në IMT, Shijak – “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbim publik”  dhe detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Marius Shahini, Kryeinspektor IMT, Shijak – “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbim publik”  dhe detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Dritan Koçi – Ndërtues pa leje –  Detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Paulin Meta – Ndërtues pa leje – Detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Qerim Doka – Ndërtues pa leje – Detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Gjon Zefi – Ndërtues pa leje – Detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.

Astrit Nuri – Ndërtues pa leje – Detyrim paraqitje tek policia gjyqësore.