Gati tetë orë zgjati vlerësimi rutinë e i masave të sigurisë për dy ish-drejtuesit e ARRSH-së, Dashamir Xhika dhe Andi Toma, dhe 9 të akuzuarit e tjerë për abuzime në rrugën e Gjinarit. Prokuroria këmbënguli se kishte provuar abuzimin. Avokatët pretenduan për akuza politike, ndërsa në përkrahje të të pandehurve në gjyq ishte edhe ish-ministri i Transportit deputeti i LSI Edmond Haxhinasto. Ndaj Xhikës u mor masë sigurie me burg edhe në Tiranë për abuzime me autostradën Tiranë-Elbasan, ndërsa u arrestuan edhe edhe Albens Alite dhe Aksel Qurduka, ish-drejtorë menaxhimi projekti pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në një seancë të tensionuar që zgjati rreth 8 orë dhe në një sallë plot me përkrahës të të akuzuarve, përfshirë ish-Ministrin e Transporteve dhe deputetin e LSI Edmond Haxhinasto, Gjykata e Elbasanit vendosi të linte me masë sigurie arrest me burg, dy ish-drejtorët e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve Dashamir Xhika dhe Andi Toma dhe të akuzuarit e tjerë.
Seanca e rivlerësimit të masave të sigurisë për 11 të akuzuar për shpërdorim të 499.5 milion lekëve, për asfaltim sistemimin e rrugës Elbasan-Gjinar, ishte e tensionuar dhe shpesh pati ngritje tonesh të avokatëve që kundërshtuan qëndrimet e prokurores Armanda Xhaferri dhe akuzuan këtë të fundit se po bënte politikë.
Avokatët kërkuan përjashtimin e saj dhe më pas edhe përjashtimin e gjykatëses Idush Maliqi, duke e akuzuar këtë të fundit se ishte nën “diktimin e prokurores dhe se kishte pranuar kërkesat e saj pa i shqyrtuar materialet”. Gjykatësi tjetër Bujar Musta rrëzoi këtë kërkesë dhe gjykatësja Maliqi rinisi seancën e rivlerësimit, duke lënë në fuqi masa të njëjta sigurie me ato të kërkuara nga prokuoria.
Ndërkohë BIRN mësoi se ndaj Xhikës dhe Albens Alites e Aksel Qurdukës, ish-drejtorë menaxhimi projekti pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar u arrestuan, pasi ishte kërkuar masë arresti me burg edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për një tjetër rrugë të shkuar keq. Xhika u kallëzua pak kohë më parë nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës Damian Gjiknuri për abuzime në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ndërkohë shkelje pati raportuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ministria pretendon se Xhika kishte amenduar kontratën me dëme të vlerësuara në rreth 16 milionë dollarë. Nënkryetari i LSI Petrit Vasli e cilësoi prokurorinë “të kapur nga kryeministri” pasi u bënë të ditura urdhër-arrestet.
Përplasjet në gjykatë
Seanca rutinë e rivlerësimit u kthye në një seancë debatesh të ashpra, kur avokatët e të akuzuarve sulmuan prokurorinë dhe gjykatën duke i akuzuar se masa e sigurisë ishte e padrejtë dhe se vendimi për arrestimin ishte “ideologjik” dhe jo i bazuar në doktrinë juridike.
Kur prokurorja Armanda Xhaferri kërkoi fjalën për të dhënë arsyetimin e saj rreth çështjes dhe për t’iu përgjigjur avokatëve që kishin kërkuar edhe përjashtimin e saj, avokatët e ndërprenë disa herë. “Unë e di ligjin më mirë se ty gocë, ta kam mësuar edhe ty. S’ke të drejtë të flasësh fare… Nuk mund të bësh karrierë ti me fatet e njerëzve, duke shkelur fatet e njerëzve”, replikoi Neshat Fana.
Përpjekjes së avokatëve për të mos lejuar prokuroren të flasë gjykatësja Maliqi iu përgjigj duke thënë se ia kishte dhënë ajo fjalën, ndërsa u kërkoi disa herë të mbanin qetësi.
Kur prokurorja u kërkoi avokatëve që kishte përballë të respektonin etikën dhe përmendi se ishte kallëzuar edhe më parë për të penguar hetimet, ata iu hakërryen duke folur të gjithë në të njëjtën kohë: “Mendon se karrierën tënde do ta zgjidhësh në këtë sallë gjyqi… Është e turpshme” theksoi ndër të tjera Fana.
Duke e cilësuar çështjen politike avokati i Andi Tomës Neshat Fana vuri në dyshim panashmërinë e gjykatës ndërsa kundërshtoi gjetjet e prokurorisë duke pretenduar se rruga nuk ishte dorëzuar dhe se kompania kishte lënë një garanci finaciare që i mbulonte dëmet financiare të shkaktuara.
Avokati i biznesmenëve Hysa tha se vendimi për masën e arrestit ishte i njëjtë me pika dhe presje me kërkesën e prokurorisë dhe hodhi dyshime për komunikim sekret mes tyre. “Kush ishte shoku Enver që dha urdhër këtë radhë për arrestimin”, tha avokati duke aluduar se vendimi kishte qenë politik.
Qëndrimi i prokurorisë
Prokuroria nga ana e saj kërkoi sërish masë sigurie me burg për 5 nga të arrestuarit përfshi dy ish-drejtues të ARRSH-së, të cilët i akuzon për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ka vërtetuar shpërdorimin e detyrës dhe abuzimin me fondet, ndërsa thotë se ka një ekspertizë të rrugës që ka filluar të ndërtohet në vitin 2009, por që vijon të jetë e dëmtuar dhe e papërfunduar.
Xhaferraj tha se pretendimet që ngritën avokatët për mënyrën e “shqyrtimit, përmbajtjes, kushtet në të cilat është bërë kontrolli, janë aspekte të themelit të çështjes”. Ajo po ashtu tha se nuk kishte ligj që ndalonte trasferimin në mënyrë elektronike të kërkesës për masa sigurie nga prokuroria në gjykatë.
Xhaferraj po ashtu hodhi poshtë pretendimet e avokatëve se nuk ishin në dijeni të materialeve. “Janë thirrur (të akuzuarit) dhe janë pyetur. Kanë refuzuar të nënshkruajnë. Çdo gjë është dokumentuar me fakte dhe prova”, tha ajo, ndërsa theksoi se kishte një dosje voluminoze, por për masën e sigurimit kishte dorëzuar “dokumentet bazë (mbi të cilat) krijohet dyshimi që personat kanë kryer vepër penale”.
Dy ish drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar janë mes 11 personave për të cilët gjykata e Elbasanit urdhëroi masën e sigurisë “arrest me burg” ose “arrest shtëpie” në lidhje me një tender të vitit 2009 për asfaltimin dhe sistemimin e një segmenti rrugor 23 kilometra të gjatë që lidh qytetin e Elbasanit me fshatin malor të Gjinarit në zonën e Shpatit në Shqipërinë qendrore. Rruga ka pasur disa rrëshkitje dhe nuk ka përfunduar ende pas 9 vjetësh.
Prokuroria e Elbasanit nisi hetimet kryesisht një vit më parë dhe në fund të janarit kërkoi arrestimin e Dashamir Xhikës, ish-drejtor për periudhën 2013-2017, akuzohet për shpërdorim detyre si dhe Andi Tomës, drejtor i rrugëve deri në vitin 2013, i akuzuar po për shpërdorim detyre. Po ashtu u arrestuan pronari i kompanisë “Zenit-06” Rexhep Targa, e cila pati kryer mbikëqyrjen e punimeve, dy vllezërit Agron dhe Kujtim Hysa të që administrojnë kompaninë “Vllezërit Hysa”. Ndërkohë për administratoren e kompanisë “Arifaj” Rezarta Bokçiu, është lënë masa e “Arrestit në shtëpi”, e njëjta edhe për kolauduesit Lek Tusha, Astrit Qafa, Malvina Kallabaku, Afërdita Basha ndërsa për Kastriot Brahën u kërkua masë detyrim paraqitjeje.
Dashamir Xhika, është ish-drejtor i ARRSH për periudhën 2013-2017. Xhika, 47 vjeç, është gjithashtu zyrtar i lartë i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), drejtues i saj për Elbasanin, partia e tretë më e madhe në Shqipëri e cila ishte anëtare e koalicionit qeverisës PS-LSI deri vitin e kaluar. Kryetarja e kësaj Partie i cilësoi akuzat ndaj Xhikës si politike dhe tha se ai ndalohej ngaqë ishte drejtues i LSI në Elbasan.
Andi Toma, ka qenë drejtor i rrugëve deri në vitin 2013 në kohën kur qeveriste Partia Demokratike në aleancë me LSI. Toma u akuzua edhe në vitin 2008 krahas kryetarit të Opozitës Lulzim Basha në lidhje me prokurimin e autostradës Rrëshen-Kalimash, por çështja penale u pushua me vendim të gjykatës së Lartë në vitin 2009.