Gjykata e Lezhës njoftoi masën e sigurisë arrest me burg për Armando Markun dhe Kristjan Sherrin që akuzohen për moskallëzim krimi. Avokati tha se do të kërkonte lirimin në apel, pasi të akuzuarit nuk kishin kryer vepër penale.
Dy të rinjtë që shoqëronin Aldi Ramën, kur ky vrau oficerin e policisë Saimir Hoxha, u lanë me masën e sigurisë arrest në burg nga Gjykata e Lezhës.
Armando Markun dhe Kristjan Sherrin, akuzohen për “moskallëzim krimi”. Të martën, kur u vra oficeri Hoxha në Kune-Vain, ata ndodheshin në makinë me autorin e krimit, i cili qëlloi edhe veten gjatë rrethimit dhe vdiq në spital.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar më dyer të mbyllura e cila zgjati rreth 2 orë, prokurori Ylli Pjetërnikaj kërkoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për të rinjtë. Mbrojtësi i tyre Gjon Huri, kërkoi një masë më të butë, duke pretenduar se ata kishin bashkëpunuar me policinë.
Gjykatësja Elsa Ulliri megjithatë pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masë sigurie me burg për të akuzuarit. Avokati Gjon Huri e cilësoi vendimin e padrejtë, duke akuzuar organet e drejtësisë se po mbrojnë veprimet paligjshme të policisë. “Në momentin që ka ndodhur ngjarja, policët ishin pa shenja dalluese kur ndaluan makinën e të rinjve”, tha Huri. Ai pretendoi se të rinjtë kishin ndihmuar deri sa kishte ardhur ambulanca dhe se nuk kishin bërë asnjë vepër penale.
Në dosje hetimore të rinjtë thonë se kishin shkuar në Kune-Vain për të konsumuar hashash bashkë me të ndjerin që sulmoi oficerin e policisë.