Gjykata e Shkodrës vendosi masë sigurie arrest me burg për dy të rinjtë e akuzuar për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe.
Gjykata e Shkodrës vendosi masë sigurie arrest me burg për dy të rinjtë e akuzuar për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj dhe babait të tij.
Ilirjan Hasanaj dhe Verzan Bajrakurtaj, u vetëdorëzuan të premten, pasi më herët Hasanaj kishte qëlluar me armë ndaj makinës së oficerit të Policisë Bashkiake dhe babait të tij.
Në seancën e masës së sigurisë të akuzuari janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës Bujar Hoti dhe Ndrek Rukaj. Prokuroria kërkoi masë arresti me burg për Hasanajn dhe Bajrakurtajn i cili e kishte transportuar atë me makinë.
Avokatët kërkuan një masë lehtësuese duke u bazuar në faktin që dy të rinjtë janë vetëdorezuar, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga trupa gjykuese.
Ilirjan Hasanaj tha në gjyq gjë ishte penduar. Ai pretendoi se kishte qenë nën efektin e alkoolit, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë dy të plagosurve. Bajrakurtaj ka pretenduar se nuk e ka ditur atë që kishte ndodhur, kur ka shoqëruar me makinën Hasanajn.
Ndërkohë avokati mbrojtës i Hasanajt, kërkoi që një dëshmi e këtij të fundit e dhënë në polici pas arrestimit të mos merrej parasysh për shkak se nuk kishte pasur avoakt të pranishëm. Po ashtu ai ka kërkuar egzaminim mjekësorë të klientit të tij.
Motivet e ngjarjes mbeten të paqarta. Ilirjan Hasanaj ka pretenduar se e kishte qëlluar Mentor Hasanajn, oficerin e Policisë Bashkiake për shkak të një konflikti pronësie, por babai i tij ka mohuar që mes familjeve të ketë një të tillë.