Gjykata e Vlorës caktoi masë sigurimi arrest me burg për Emiljano Likaj, i akuzuar si personi që drejtonte gomonen fundosja e të cilës rrezikoi jetën e 55 refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që synonin të mbërrinin në Itali.
Dëshmia e njërit prej refugjatëve sirianë, të cilët u shpëtuan nga Roja Bregdetare në 8 janar të këtij viti, ndërsa rrezikuan të mbyteshin në gomonen që po i trasportonte në Itali, ka futur në telashe Emiljano Likajn, i dyshuar nga prokuroria si drejtues i gomones.
Gjykata e Vlorës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Likajt dhe caktoi për të masën e sigurisë me burg, ndërsa prokuroria paraqiti si prova ndër të tjera shenjat e djegies që ai kishte në këmbë të shkaktuara nga përzierja e karburatit me ujin e kripur të ngjashme me atë të të shpëtuareve, faktin që një nga refugjatët e kishte njohur dhe gjurmimit të disa telefonatave të tij me refugjatët.
Mbrojtja pretendoi se shenjat në këmbë ishin nga një sëmundje fëmijërie, ndërsa kundërshtoi arkumentet e prokurorisë. Avokati Edmond Dëma kërkoi masë sigurie më të lehtë ndërsa mohoi akuzat. I akuzuari nuk dha sqarime para trupës.
Policia Lokale dhe Prokuroria, vijojnë hetimin për rastin e trafikut të 55 refugjatëve. Skafistët i shpëtuan arrestimit në 8 janar edhe pse kishte dëshmi që ashtu si refugjatët ishin ngjitur në anijen e Rojes Bregdetare.
Dy javë me parë, policia arrestoi 2 persona përgjegjës për strehimin e shtetasve të huaj emigrantë/ Pronarin e një hoteli në Tiranë dhe pronarin e një banese në fshatin Trevllazër, Vlorë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 8 janar, kur një gomone me 55 refugjatë kryesisht nga Siria u nis në një detë të trazuar drejt Italisë. Dallgët krijuan probleme dhe gomonja u fundos pjesërisht. Pas një thirrje SOS, anija e Rojes Bregdetare “Bora” arriti të gjente dhe më pas shpëtonte refugjatët.
Trafiku i njerëzve përmes detit, një mision i rrezikshëm që ka shkaktuar qindra viktima edhe në Shqipëri, u rikthye vitin e kaluar me gjasë për shkak të fluksit të madh të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut të cilët kërkojnë të mbërrinë me çdo kusht në vendet e Bashkimit Europian.