Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër la me masën e sigurisë “arrest me burg” dy të arrestuarit si të dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e dy vëllezërve Bilali. Dy të arrestuarit mohuan akuzat.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër la me masën e sigurisë “arrest me burg” dy të arrestuarit si të dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e vëllezërve Bilali. Arsen Stojku dhe Mislim Rama u arrestuan disa ditë më parë nga policia, e cila i ka cilësuar ata si bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali më 30 mars.
Dy të ndaluarit përpara gjykatës kanë mohuar akuzat. Një prej tyre, Mislim Rama deklaroi në sallën e gjyqit se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen dhe se nuk është as bashkëpunëtor siç e ka cilësuar policia.
Por policia e prokuroria pretendojnë se kanë prova kundër dy të arrestuarve dhe Ibrahim Licit i cili është në kërkim për këtë ngjarje. Përveç mjetit të djegur që ka sekuestruar policia me të cilin dyshohet se është kryer vrasja, është sekuestruar edhe një makinë tjetër tip Golf. Me këtë mjet sipas prokurorisë janë larguar autorët pasi kanë lënë mjetin tjetër të djegur. Pokuroria po ashtu pretendon se me makinën tip Golf rezulton të kenë udhëtuar Mislim Rama dhe Arsen Stojku një ditë pas vrasjes së dyfishtë. Rama e mohoi këtë pretendim. Ai tha se nuk kishte dijeni për makinën, ndërsa tha se në fillim të prillit kishte qenë në Britani, ku ka familjen dhe sërisht ishte kthyer.
Mbrojtësit e dy të arrestuarve kërkuan masa të lehta sigurie dhe i thanë gjykatës se ata nuk kishin lidhje me vrasjen, por Gjykata e Shkodrës ka miratuar kërkesë e prokurorëve të çështjes që kërkuan masë sigurie në burg. Veç dy të arrestuarve si i dyshuar për krimin është shpallur në kërkim edhe Ibrahim Lici.
Astrit dhe Brahim Bilali u qëlluan në hyrje të shtëpisë së tyre më 30 mars. Viktimat ishin babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit i arrestuar si i dyshuar se është pjesë e grupit kriminal “Bajri” i goditur nga policia në shtator 2018, ishin të njohur në Shkodër pasi merreshin me hipizëm. Vëllezërit ishin arrestuar në qershor 2016 të akuzuar për armëmbajtje pa leje.
Krimi është vijim i përplasjeve mes dy grupeve në Shkodër që bashkë me të vrarët më 30 mars, ka shkaktuar 8 viktima. Përplasja dyshohet që filloi qershor 2017 pas një atentati me eksploziv ku u plagosën 7 persona.
Vrasjet u pasuan me ekzekutimin e një ish-oficeri policie Boran Berçama dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci, zhdukjen e dy personave dajë e nip, vrasjen e Fatbardh Licit i dënuar më herët për vrasje, dhe krime të tjera për të cilat ende nuk ka autorë të ndaluar apo të akuzuar.
Disa muaj më parë në nëntor 2018 në pazarin e Shkodrës u qëllua për vdekje Fatos Ferracaku, më herët ishte vrarë kushuriri i tij Arjan Ferracaku.
Në shtator të vitit të shkuar, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.