Lajm31 Aug 2021

Gjykata lë në burg të vëllain e Elton Debreshit si të dyshuar për vendosjen e eksplozivit

Për Alfred Debreshin, janë ngritur tre akuza: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe “Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë, ndërsa avokati tha se do apelonte vendimin.

Autor: Sami Curri BIRN Dibër
Printo

Alfred Debreshi në momentin që shoqërohet në gjykatë. Foto: Sami Curri.

Gjykata e Dibrës i ka komunikuar masën e sigurisë “Arrest me burg” Alfred Debreshit, i akuzuar si i përfshirë në vendosjen e eksplozivit në makinën e vëllait të tij, Elton Debreshit. Ky i fundit prej vitesh është në detyrën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe në zgjedhjet e 25 prillit ka kandiduar si i pavarur për deputet.

Për Alfred Debreshin, janë ngritur tre akuza: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”. Paraditen e së martës gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që ai të qëndroj në burg.

I kontaktuar me telefon nga BIRN, Ismail Uka, avokati që mbronte të arrestuarin, tha se do të apelonte vendimin, pasi ndaj Debreshit kishte dyshime dhe prova të pamjaftueshme për ta lënë në burg. “Në vendimin e ditës së sotme, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin dhe lënien e Alfred Debreshit në arrest me burg pa afat. Kemi të bëjmë me dyshime dhe hetimet do të vazhdojnë”, tha Uka.

I kontaktuar nga BIRN, prokurori i çështjes, Urim Buci tha se një gjykatë janë paraqitur një sërë provash, përfshi përgjime telefonike, dëshmitë pas ngjarjes dhe prova të tjera që tregojnë lidhjen e Alfred Debreshit me vendosjen e eksplozivit në makinën e vëllait të tij.

Sasia e lëndës plasëse shpërtheu në orët e para të së premtes në makinën e Elton Debreshit. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së tij, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

Tritoli ndaj makinës së Debreshit u shoqërua me reagime të shumta në rrjetet sociale, nga organizata të shoqërisë civile dhe grupime politike. SMBB, që kryesohet nga Debreshi e cilësoi shpërthimin vijim të presioneve ndaj tij. Ndërkohë Xhelal Mziu, deputeti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit nga Partia Demokratike në qarkun e Dibrës, e akuzoi Debreshin si një mekanizëm të mozhorancës për të përçarë votën opozitare dhe po ashtu e fajësoi atë për stisje të atentatit.