Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin e Policisë Dibër për gjobitjen me 5 milionë lekë të reja ndaj kandidatit të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshi për shkeljen e masave anti-COVID.
Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të martën të lërë në fuqi vendimin e Policisë Dibër për gjobitjen me 5 milionë lekë ndaj kandidatit të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshi për shkeljen e masave anti-COVID.
Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi në fillim të muajit prill ishte gjobitur me 5 milionë lekë për organizim të një tubimi më 26 mars në Bulqizë.
Gjoba ishte vendosur për shkelje të kufizimeve mbi numrin e pjesëmarrësve në tubime, bazuar në një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ishte shkelur haptazi dhe pa ndëshkim nga partitë politike, përfshi edhe vetë kryeministrin Edi Rama dhe ministren që e ka firmosur.
Pas vendimit, përfaqësuesi ligjor i Elton Debreshit, avokati Gentian Serjani e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës dhe tha se do të ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Apelit, pasi gjoba kishte një sërë shkeljesh ligjore dhe proceduriale.
“Së pari procesverbali i oficerëve të Policisë Gjyqësore është në shkelje të ligjit për kundravajtje administrative”, u shpreh Serjani.
Avokati i Debreshit u shpreh se Gjykata Administrative nuk e kishte marrë parasysh fare pamundësinë financiare të pagesës së kësaj gjobe nga Elton Debreshi. “Për aq kohë sa që ne e kemi në gjykatë nuk mund të zbatohet ai vendim dhe të ekzekutohet gjoba. Duke ditur që gjykimi i kësaj çështje në Gjykatën Administrative të Apelit, me këtë volum dosjesh vonojnë deri në 3-4 vite, gjoba pasi kalon një afat dy vjeçar, sipas ligjit për kundravajtjet administrative parashkruhet. Që do të thotë se i bie fuqia ligjore, nuk ekziston më.” shtoi avokati Serjani.
Gjoba ndaj Debreshit e vendosur në prill ishte një tjetër tregues i standardeve të dyfishta në trajtimin e rasteve të ngjashme nga policia. Shtabet elektorale të PS dhe PD në Dibër konfirmuan për BIRN gjatë periudhës së fushatës elektorale se nuk kishin marrë gjoba, ndonëse kanë publikuar në faqet e tyre materiale filmike të tubimeve të organizuara në shkelje të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregonin se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 633 të nëntorit 2020, është shkelur masivisht prej përfaqësuesve politikë të gjitha partive, përfshi kryetarët e tyre dhe madje nga vetë ministrja e Shëndetësisë. Megjithatë numri i gjobave për këto raste shkeljesh ka qenë minimal, duke rënduar më shumë përfaqësues të opozitës.