Gjykata e Shkallës së Parë në Prishtinë ka lëshuar një mandat arresti për ish-liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, pasi ai nuk u paraqit në gjyq.
Një gjykatë në Kosovë ka lëshuar një urdhër arresti për deputetin Albin Kurti, një nga katër deputetët e Vetëvendosjes të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në parlament vitin e kaluar, pasi Kurti nuk u paraqit në seancën gjyqësore në Prishtinë.
Një gjyqtar tha në seancë se do të lëshonte urdhër për arrestimin e Kurtit në mënyrë që të sigurohej prania e tij në gjykatë.
Po ashtu në gjykatë të premten nuk u paraqitën kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, nënkryetari, Xhavit Haliti dhe dy deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj dhe Naser Osmani të thirrur si dëshmitarë. Gjykatësi i gjobiti ata me 200 euro.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, i tha BIRN se ky ishte një urdhër arrestimi politik.
“Ne e konsiderojmë këtë një vazhdimësi të padrejtësisë që është bërë kundër tyre [deputetëve të Vetëvendosjes] që prej fillimit,” tha Hoti.
Deputetët e Vetëvendosjes hodhën gaz lotsjellës brenda parlamentit për të ndaluar ratifikimin e një marrëveshje kontroverse kufitare me fqinjin e Kosovës, Malin e Zi dhe për të mos lejuar themelimin e një shoqate autonome të komunave me shumicë serbe.
Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli u akuzuan për hedhjen e gazit gjatë seancave parlamentare në fund të vitit 2015.
Pavarësisht se ndaj tij ekzistonte një urdhër arresti, Kurti mori pjesë në një protestë dhe iu drejtua pjesëmarrësve nga podiumi më 28 nëntor të vitit të kaluar.
Kurti u mbajt për 30 ditë në një burg të sigurisë së lartë pasi forcat speciale e arrestuan atë kur mësynë në selinë e partisë Vetëvendosje, duke u përleshur kështu me mbështetësit e saj.
Rreth 100 përkrahës të opozitës, disa prej të cilëve u përpoqën të ndalonin arrestimin e Kurtit, u arrestuan gjithashtu.