Lajm14 May 2019

Gjykata liron nga qelia 30 protestues të opozitës

Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest me burg për 20 protestues, ndërsa 30 të tjerët kanë lënë qelitë nën masën e arrestit shtëpiak apo detyrimit për paraqitje për dhunën e ushtruar në protestën e 11 majit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Mbeshtetes te opozites, duke hedhur bomba molotov ne drejtim te policise, gjate protestes se 11 majit. Foto: LSA

Protestuesit që u përballën të martën me gjykatën akuzohen për aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore.

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nisi rreth orës 7 të mbrëmjes së të shtunës dhe përshkallëzoi menjëherë në dhunë, me fishekzjarre dhe bomba molotov që hidheshin ndaj kryeministrisë, ndërkohë që kryetari demokrat Lulzim Basha mbante fjalimin e tij.

Por ndërsa shumica e bombave molotov përfunduan në murin e kryeministrisë, së paku dy prej tyre ranë mbi gardhin policor ndërsa policia bënte thirrje përmes autoparlantëve për qetësi. Pak minuta më vonë, policia hodhi gaz lostjellës duke krijuar një zonë të ndërmjetme mes policëve me maska antigaz dhe protestuesve. Pavarësisht gazit lotsjellës, kryetari demokrat Lulzim Basha vijonte të fliste duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Rreth orës 9 të mbrëmjes, protestuesit u zhvendosën te ndërtesa e seancave plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ku u shënuan sërish akte dhune nga protestuesit dhe u godit me shkopinj gome nga policia sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapi.

Dollapi u la i lirë në orët e para të mëngjesit në Spitalin Ushtarak, ku po vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Ndërkohë, policia njoftoi të martën se janë proceduar edhe 22 persona të tjerë për kryerje të akteve të dhunshme ndaj ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e zhvilluar mbrëmjen e së hënës, ku 7 prej tyre janë arrestuar.