Gjashtë persona që ishin arrestuar me akuzat e kundërshtimit të policisë u lanë të lirë, ndërsa për dy prej tyre u caktua masë sigurie “arrest shtëpie” deri më 3 qershor. Përfaqësuesit e të arrestuarve kërkuan vlerësim të paligjshëm të arrestit, ndërsa thanë se do të apelonin vendimin.
Gjykata e Tiranës vendosi të mërkurën të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe lirojë të arrestuarit nga policia pas protestës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Gjykata vendosi masë sigumi detyrim paraiqtjeje për Drejtorin Ekzekutiv të qendrës në Tiranë të Lëvizjes Vetëvendosje Bojken Abazi dhe po ashtu edhe për protestuesit Kastriot Qemaj, Sokol Ndoja, Romeo Lila, Burim Tafilica dhe Edjon Xhoxhaj.
Përndryshe dy vëllezërit Endrit dhe Erik Mërtiri u lanë me masë sigurimi me arrest në shtëpi deri më 3 qershor, ndërsa gjykata i kërkoi prokurorisë të analizonte pamjet filmike.
Mbrojtësit e të arrestuarve kundërshtuan vendimin e gjykatës. Ata thanë se kishin plan të përbashkët për të apeluar vendimin dhe kërkuan që arrestimi i protestuesve nga policia të shpallej i paligjshëm dhe si cënim i të drejtës për të protestuar.
Mbrojtësit po ashtu thanë se akuza bazohej vetëm mbi pamje filmike të pjesshme.
Ndërkohë dhjetra protestuan pritën për gati 7 orë vendimin e gjykatës, ndërsa akuzuan qeverinë dhe policinë për dhunë dhe burgosje politike.
Tetë personat u arrestuan nga policia të dielën gjatë protestave që shpërthyen pas ndërhyrjes me forcë të policisë kundër aktivistëve që protestonin brenda Teatrit Kombëtar dhe më pas qytetarëve që u mblodhën për të kundërshtuar shkatërrimin e objektit. Dhjetra persona të tjerë u shoqëruan me forcë, ndërsa ndaj një pjese prej tyre janë ndërmarrë masa administrative dhe ndiqen në gjendje të lirë.
Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se po heton veç të arrestuarve edhe denoncimet ndaj policisë së shtetit për dhunë gjatë protestës së të dielës.