Celulari dhe një sasi parash që pretendohen nga i biri i gjykatësit Skënder Damini do mbahen të bllokuara. Gjykatësi dhe dy kolegë të tij iu nënshtruan kontrolleve në banesë pasi pranuan gjykimin e shkurtuar ndaj Dritan Dajtit.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi të hënën të rrëzojë kërkesën e gjyqtarit Skënder Damini përheqjen e sekuestros për aparatin celular dhe atë të djalit të tij, Lisien Damini për kthimin e 17 mijë euro që u gjetën e bllokuan gjatë kontrollit të ushtruar në banesë.
Dy kërkuesit nuk kanë qenë të pranishëm në seancat gjyqësore të zhvilluara njëra pas tjetrës me dyer të mbyllura, por janë përfaqësuar nga avokati i tyre mbrojtës Theodhori Sollaku.
Një muaj më parë, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e tre gjyqtarëve të Apelit që zbutën dënimin për Dritan Dajtin duke pranuar gjykimin e shkurtuar. Policia kontrolloi shtëpitë e gjyqtarëve; Skënder Daminit në Vlorë e Tiranë, Aleks Nikollit në Lezhë dhe Petrit Aliaj në Sarandë. Kontrollet u autorizuan pasi dyshohej se tre gjyqtarët mund të ishin përfshirë në korrupsion lidhur me vendimin lehtësues në favor të Dritan Dajtit.
Policia e Shtetit në një deklaratë për shtyp njoftoi atëherë se kishte sekuestruar para, municione dhe sende të tjera.
Tre gjyqtarët ndaj të cilëve u ekzekutuan urdhëra të kontrollit të banesave të tyre, vendosën në 8 shkurt të pranonin kërkesën për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar atë automatikisht nga burgimi i përjetshëm. Gjykata në fund vendosi dënimin e Dajtit me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në vitin 2009. Ndërkohë, Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda ka kryer rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj këtij vendimi.
Dritan Dajti ishte dënuar pas një procesi të stërzgjatur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Falsikimi i dokumentave” në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumenta policie, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.