Lajm27 Jan 2020

Gjykata pushon çështjen ndaj ish-kreut të Burgjeve, Arben Çuko

Gjykata e Tiranës rrëzoi akuzën e “moskallëzimit të krimit” dhe pushoi çështjen penale ndaj ish-deputetit socialist, Arben Çuko, ndërsa i hapi dritën jeshile gjykimit të 4 të pandehurve të tjerë –të cilët akuzohen se ushtruan ndikim të paligjshëm mbi Çukon.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-kreu i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko gjatë një aktiviteti.

Gjykata e Tiranës vendosi të hënën të pushojë përfundimisht çështjen ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko. Më herët, akuza ndaj tij u zbut nga Gjykata e Krimeve të Rënda nga “korrupsion i zyrtarëve të lartë” në “moskallëzim krimi”. Katër të pandehurit e tjerë në këtë dosje, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Artur Balla dhe Denis Llaftiu do të gjykohen ndërkohë për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj tha çështja kishte ardhur nga Krimet e Rënda me akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Mbrojtësi i Çukos, avokati Maks Haxhia i tha BIRN në një bisedë telefonike se pushimi ishte vendim i drejtë.

“Kjo duhet të kishte ndodhur më përpara,” tha Haxhia, i cili vuri në dukje shfryrjen e akuzave të Prokurorisë. “E akuzuan (Çukon) për vepra të rënda, grup i strukturuar kriminal, korrupsion i zyrtarëve të lartë dhe e çuan në gjykatë për “moskallëzim krimi”, patjetër që do të pushohej,” shtoi ai.

Ish-deputeti socialist, Arben Çuko dhe katër të tjerët u arrestuan në tetor të vitit të kaluar gjatë operacionit të pagëzuar “Vol-Vo4” me akuzën e korrupsionit. Prokuroria njoftoi atëherë edhe arrestimin e ish-deputetit tjetër të PS, Arben Ndoka, vëllai të tij dhe të afërmve të tyre, të akuzuar për “tjetërsim pronash” kryesisht në bregdetin e Lezhës. Bashkë me ta, policia e prokuroria njoftuan se kishte ndaluar 27 anëtarë të një organizate trafiku narkotikësh të drejtuar nga vëllezërit nga Avdyli nga Shijaku, të dënuar edhe më parë për vepra të rënda penale.

Çështjet penale ndaj të arrestuarve u ndanë. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi fillimisht në gjykatë dosjen për Çukon, i cili akuzohej se kishte trasferuar nga një burg në një tjetër një prej anëtarëve të grupit në këmbim të rryshfetit.

E veçuar nga të akuzuarit e tjerë, çështja ndaj Çukos u shfry në vijimësi. Në fillim, Gjykata e Krimeve të Rënda e vendosi atë në “arrest shtëpie” dhe më pas vendosi lirimin e Çukos, duke i konsideruar provat të mangëta.

Më vonë, Gjykatae Krimeve të Rënda vendosi të trasferojë çështjen në Gjykatën e Tiranës, ndërsa pushoi akuzën e “korrupsionit të zyrtarit të lartë” ndaj Çukos, i cili u dërgua në gjyq vetëm për moskallëzim krimi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendonte fillimisht se kishte dokumentuar rastin e korrupsionit në transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga burgu i Burrelit në atë të Fierit.

“…nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel…,” thuhet në komunikatën e shpërndarë nga prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Çuko e mohoi që në fillim akuzën përmes avokatit të tij, Maks Haxhia. Në një deklaratë për mediat, Haxhia pretendoi atëherë se ish-deputetit socialist, Arben Çuko, nuk kishte pranuar transferimin e  të burgosurit nga burgu i Burrelit në atë të Peqinit, duke mos e konsideruar transferimin në Fier në favor të të dënuarit.

Një investigim i BIRN dhe Zërit të Amerikës, bazuar në përgjimet e Çukos gjatë hetimit nga prokuroria zbuloi edhe ndikimin politik në emërimet në burgje apo ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë dhe deputetë të Partisë Socialiste.