Lajm2 Apr 2021

Gjykata: Qeveria turke ka kufizuar lirinë e medias

Gjykata e Lartë Administrative e Turqisë vendosi që autoritetet shkelin lirinë e medias me rregulloret e reja mbi akreditimin e gazetarëve, duke lejuar zyrtarët të anulojnë kartat e shtypit të gazetarëve që konsiderohen jo miqësorë me qeverinë.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Foto ilustruese: Pixabay/Engin Akyurt

Këshilli i Shtetit i Turqisë, autoriteti më i lartë ligjor administrativ në vend, vendosi të enjten se rregulloret më të rrepta për dhënien e kartave të shtypit, të prezantuara në vitin 2018, shkelin lirinë e medias.

Këshilli i Shtetit tha që kartat e shtypit nuk mund të anulohen për ato që ai i përshkroi si arsye arbitrare dhe të paqarta si “sjellje kundër rendit publik ose sigurisë kombëtare” dhe “sjellje që dëmton dinjitetin profesional të gazetarisë”.

“Kriteret në lidhje me njerëzit që do të marrin një kartë shtypi duhet të parashtrohen në mënyrë konkrete; duhet të përcaktohen kriteret objektive”, shtoi ai.

Rregulloret e krijuara nga Drejtoria e Komunikimit e Turqisë, e cila është nën kontrollin e presidencës, lejuan qeverinë të anulonte kartat e shtypit të gazetarëve që shiheshin si jo miqësorë më autoritetet, pretenduan kritikët.

Që kur u prezantuan këto rregulla, një numri të madh gazetarësh të pavarur u janë anuluar kartat e shtypit ose u është refuzuar aplikimi për rinovim të një të tille.

Mediat dhe ekspertët e pavarur kanë pohuar se marrja e një karte shtypi dhe përfitimet që ajo ofron është bërë një privilegj i një grupi të vogël gazetarësh pro-qeveritarë. Përfitimet e një karte shtypi përfshijnë pension të parakohshëm, hyrje në çdo event, transport falas brenda qytetit dhe ulje çmimi në udhëtime me tren dhe avion.

Sindikata e Gazetarëve Progresivë, CGD, e përshëndeti vendimin e gjykatës për të rrëzuar rregulloret, të cilat tha se ishin “krijuar nga qeveria në mënyrë që të ndëshkonte gazetarët që nuk miqësorë me të”.