Një kërkesë e banorëve të fshatit Vërri në Fier për pezullimin e punimeve të ndërtimit të incineratorit të mbetjeve u rrëzua si e pabazë nga Gjykata Administrative në Tiranë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë rrëzoi të hënën një prej pikave të objektit të padisë së banorëve të fshatit Vërri të Bashkisë Fier dhe shoqatës “Aleanca kundër importit të plehrave të rrezikshme”, atë të marrjes së masës së sigurimit të padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve të inceneratorit deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, gjyqtarja Afërdita Maho u dha fjalën palëve për të paraqitur pretendimet e tyre. Ambjentalisti Lavdosh Ferruni i kërkoi gjykatës që të pranojë marrjen e masës së sigurimit të padisë dhe të vendosë pezullimin e punimeve të inceneratorit të Vërrisë, duke pohuar se ndërtimi po kryet me fondet e taksapaguesve shqiptarë në kundërshtim me ligjin dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara. Sipas Ferrunit, studimi i fizibilitetit të kompanisë pasyqron një tjetër zonë, rreth 7 kilometra nga vendi ku po ndërtohet inceneratori. Ai ngriti para gjyqtares Afërdita Maho shqetësimin e ndotjes së ujërave nëntokësore si edhe të mjedisit për shkak të punimeve aktuale dhe në vazhdimësi, nëse do të lejohet ndërtimi i plotë dhë vënia në punë e këtij inceneratori. Sipas tij inceneratori po ndërtohet të një terren të gabuar dhe të falsifikuar, pasi nuk ka asnjë vendim të qeverisjes vendore për këtë gjë.
Edhe përfaqësuesja ligjore e paditësve, Dorina Ndreka, u shpreh se masa e sigurimit të padisë për pezullimin e punimeve është e domosdoshme, pasi aktualisht edhe kompanisë nuk i shkaktohen dëme. Ajo theksoi se ky rast gjendet në një pavleshmëri absolute, pasi mungon trualli dhe një vendin i këshillit të ministrave, pasi ligji nuk e lejon që të tjetërsohet destinacioni i tokës nga bujqësore, në urbane me qëllim ndërtimin e inceneratorit. “Studimi është bërë për një tjetër terren dhe leja e ndërtimit është dhënë për një vend tjetër”, pohoi ajo.
Avokati mbrojtës i Shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” shpk, Eno Bushi, i quajti pretendimet e paditësve të pambështetura në prova. Ai pohoi se ndërtimi i inceneratorit po ndërtohet me fondet e konçesionirit dhe më pas do t'i kalojë shtetit. Ndërsa shtoi se studimi i fizibilitetit përcakton se ndërtimi i një inceneratori në Fier është i nevojshëm dhe se nuk ka ndotje në mjedis.
Ndërprerjen e këtij projekti, avokati Bushi e cilësoi si një cënim të rëndë ndaj interesit publik, pasi sipas tij ka mbaruar faza e parë e projektit. “Paditësit duan të bëjnë ‘show' për të goditur kompaninë”, deklaroi ai. Sipas avokatit Bushi, projekti është 6-vjeçar dhe më pas do t'i kalojë shtetit. Ai këmbënguli se paditësit nuk kanë asnjë provë se ndërtimi i inceneratorit ka sjellë dëme në mjedis apo ndaj interesit publik. Duke ritheksuar se pezullimi i punimeve do të cënonte interesin publik, ai kërkoi rrëzimin e kërkesës së paditësve. Të njëjtën gjë kërkuan edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Ndërkohë, nuk kanë qenë të pranishëm në seancë përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Këshillit Kombëtar të Terriorit dhe të Bashkisë së Fierit e Avokaturës së Shtetit, ku këta dy të fundit ishin thirrur nga gjykata në cilësinë e personit të tretë.
Pasi gjyqtarja e çështjes Afërdita Maho dëgjoi palët, shpalli vendimin duke rrëzuar kërkesën e palës paditëse me argumentimin se: “pala paditëse nuk arriti dot të provojë në bazë të provave shkresore për pasojat dhe dëmet e pretenduara”. Avokaja Dorina Ndreka u shpreh se do ta apelojnë këtë vendim të gjykatës. Ndërsa ambjentalisti Ferruni deklaroi se Gjykata Administrative nuk e pati guximin t'i pezullonte menjëherë punimet e inceneratorit.
Pak ditë më parë, nëntë banorë të fshatit Vërri dhe shoqata “Aleanca kundër importit të plehrave të rrezikshme”, të mbështetur nga Klinika Ligjore pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, ju drejtuan me një kërkesë padi gjykatës Adminsitrative të Shkallës së Parë Tiranë, me anë së të cilës kërkojnë pavlefshmërinë e dokumentacionit që mundësoi nisjen e punimeve të inceneratorit të Vërrisë në Fier, konkretisht të deklaratës mjedisore, procedurave të prokurimit publik dhe lejes mjedisore, me argumentin se janë miratuar në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, ata kërkuan edhe pezullimin e punimeve, por kjo kërkesë u rrëzua ditën e hënë nga gjykata.
Banorët e Vërrisë kanë cilësuar si përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm të inceneratorit të paditurit: Këshillin Kombëtar të Territorit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Shoqërinë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”shpk, dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas palëve paditëse, inceneratori po ndërtohet në një tokë tjetër nga ajo të parashikuar në studim dhe në vendimet e Këshillit të Bashkisë Fier, si edhe nuk janë respektuar dispozitat ligjore për ndryshimin e kategorisë së tokës, duke sjellë pavlefshmëri të lejes së ndërtimit. Gjithashtu, paditësit pretendojnë se ka shkelje të dispozitave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit që për pasojë sjellin pavlefshmërinë e Deklaratës së Mjedisit; se zhvillimi i dëgjesave me publikun nuk është kryer në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore dhe se ka shkelje të dispozitave ligjore për konçesionet.
Prej një viti e gjysmë banorët e fshatit Vërri kanë protestuar kundër ndërtimit të inceneratorit pranë tokave dhe shtëpive të tyre. Por, pavarësisht protestave të njëpasnjëshme zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër, ndërsa disa janë proceduar penalishit për organizimin dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme.