Lajm27 Jul 2021

Gjykata rrëzon SPAK për rihapjen e çështjes së Fatmir Mediut

Gjykata e Posaçme fajëson Prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërsa argumenton se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Berisha”, Fatmir Mediu.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e vitit 2008, që shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur në Gërdec.

Në vendimin e arsyetuar, gjyqtari i seancës paraprake, Erjon Çela fajëson prokurorinë që nuk ndërmorri asnjë hap përgjatë 8 viteve për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj Mediut, pavarësisht heqjes së imunitetit parlamentar që prej vitit 2012.

Në rrëzimin e kërkesës, gjykata arsyeton gjithashtu se ndaj ish-ministrit Mediu mungojnë provat e reja dhe se krimi për të cilin ai akuzohet është parashkruar.

Pas tragjedisë së Gërdecit në mars 2008, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke e akuzuar atë dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Megjithatë, Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi me rizgjedhjen e tij deputet në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen me argumentin se ai kishte imunitet parlamentar.

Dymbëdhjetë vjet më vonë, SPAK i kërkoi Gjykatës së Lartë që të rihapë çështjen e Mediut, bazuar në kërkesën e Zamira dhe Feruzan Durdajt, prindërit e njërit prej viktimave më të vogla të tragjedisë.

Gjykata e Lartë e “pasoi” çështjen për kompetencë në Gjykatën e Posaçme, e cila fajëson prokurorinë për mosveprim për më shumë se një dekadë dhe vendosi ta rrëzojë kërkesën që do t’i hapte rrugë nisjes së gjykimit për Mediun.

Sipas gjyqtarit Çela, nga viti 2012 deri më datë 1 Gusht 2017, kur hynë në fuqi ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu, pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit.

Gjykata shprehet se në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndjekjen penale për më shumë se 10 vjet, tashmë vepra penale për të cilën akuzohet Mediu është parashkruar.

“…duke pasur parasysh faktin se nuk do kishte sens logjik që të revokohet një vendim pushimi, kur sipas kuadrit ligjor gjithësesi do të vendosej përsëri pushim i çështjes për të njëjtin motiv,” argumenton Çela.

Prokurori i çështjes, Klodian Braho, për të cilin në vendimin e gjykatës thuhet se ka qenë në mungesë, nuk bëri me dije nëse do të kryente ankim. Braho tha se për procedurën e mëtejshme do të ketë njoftim zyrtar, në momentin e duhur.