Lajm12 Apr 2019

Gjykata rrëzon vendimin që e lidh Bujar Sheshin me ish-Sigurimin e Shtetit*

Gjykata Administrative e Tiranës shfuqizon vendimin që e cilësonte anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë si “bashkëpunëtor” dhe “anëtar” të ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa Autoriteti për Informim paralajmëron vazhdimin e procesit në Apel.    

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Bujar Sheshi gjate nje mbledhjeje te KLP-se. Foto:LSA

Gjykata Administrative e Tiranës e shpalli të paligjshëm vendimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit për Bujar Sheshin, duke vendosur shfuqizimin e tij. Vendimi nr.12 i datës 22 janar i Autoritetit e klasifikonte anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi si ‘bashkëpunëtor’ dhe ‘anëtar’ të ish-Sigurimit të Shtetit.

Paraditen e së premtes, gjyqtari Emiljano Ruli i dha të drejtë prokurorit Sheshi, që përmes një kërkesë-padie kërkonte shfuqizimin e vendimit të AIDSSH si të rremë dhe në kundërshtim me ligjin.

Vendimi i Gjykatës u mirëprit nga avokati i Sheshit, Julian Mërtiri, ndërkohë që Autoriteti për Informimin e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit e konsideroi atë të padrejtë dhe paralajmëroi apelimin.

“Gjykata ka pranuar si plotësisht të bazuara pretendimet tona, që nuk është i njëjti person dhe që Bujar Sheshi nuk është bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, po ka kryer detyrën e tij si hetues në atë kohë,” tha Mërtiri për mediat.

Autoriteti reagoi përmes një deklarate të shpërndarë në media se Bujar Sheshi figuron si bashkëpunëtor në dy dokumente themeltare dhe autentike të arkivave të Ish-Sigurimit dhe se kjo u arrit të provohej në gjykatë.

“Nga përfaqësuesit e AIDSSH dhe Avokaturës së Shtetit është argumentuar në gjykatë, përmes dokumenteve arkivore shtesë se lidhja e tij me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit ka filluar që në kohën e diplomimit të tij në profilin Sigurim, emërimin si “Oficer” dhe më pas “Hetues” në Degën e Punëve të Brendshme,” pretendoi Autoriteti.

“Provat e paraqitura… kanë vërtetuar lidhjen dhe bashkëveprimin e pakundërshtueshëm të hetuesisë me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Këtë e dinë më së miri sidomos ata fatkeqë që kaluan kalvarin e dënimeve politike nëpër qelitë e hetuesive…,” shtohet në reagim.

Procesi për të shkuarën e prokurorit Bujar Sheshi zgjati për dy seanca, ku palët debatuan mbi identitetin e bashkëpunëtorit të ish-Sigurimit të identifikuar nga Autoriteti me nofkën ‘Venus,’ si dhe nëse hetuesit gjatë periudhës së regjimit komunist konsiderohen anëtarë të Sigurimit të Shtetit deri në vitin 74’ apo deri në vitin 83’.

Sipas vendimit të Autoritetit, Bujar Sheshi është i njëjti person me “Bujar Rasim Shesha”, i cili sipas Kartelës Model 2, Nr.8023 rezulton i rekrutuar në vitin 1974 me pseudonimin “Venusi”, por dosja e tij është mbyllur pas 10 muajsh në tetor 1975.

Sheshi e ka mohuar kategorikisht të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

“Është shpifje, nuk kam qenë kurrë anëtar i Sigurimit të Shtetit,” tha ai me 26 janar, pas rrjedhjes në media të vendimit të Autoritetit.

Padia në Gjykatën Administrative është vetëm njëri prej hapave të ndjekur nga Sheshi kundër Autoritetit për Informim të ish-Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Ai depozitoi një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” në janar, ndërkohë që edhe Prokuroria e Përgjithshme njoftoi nisjen e një hetimi të thelluar për çështjen.

“Vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk përputhet në përmbajtje me vendimin e AISSH, janë objekt i një hetimi të thelluar nga prokuroria kompetente,” tha Prokuroria e Përgjithshme përmes një deklarate për mediat.

*Shkrimi u përditësua për të përfshirë reagimin e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të Ish-Sigurimit të Shtetit ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës.