Pamundësia e njoftimit të Suel Çelës, i akuzuar për tentativën në bashkëpunim të vrasjes së katër punonjësve të policisë në shtator të 2017-ës në Elbasan, ka sjellë shtyrjen për herë të dytë të seancës gjyqësore.
Mungesa në sallën e gjyqit e Suel Çelës, i shpallur në kërkim pasi akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda se në bashkëpunim me dy persona të tjerë kanë tentuar të vrasin katër punonjës policie në shtator të vitit 2017, ka sjellë shtyrjen e seancës së dytë radhazi. Ndërkohë, gjykata mori vendim që të urdhërojë zyrën e Interpolit dhe policinë e Elbasanit që të kërkojnë vendodhjen e tij jashtë Shqipërisë, për ta njoftuar lidhur me datën e seancës së ardhshme.
Në çeljen e seancës së të enjtes, kryesuesi i treshes gjykuese në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Klodian Kurushi deklaroi se dy prej të pandehurve, Klemend Xhaferri dhe Enea Bekteshi e kishin marrë njoftimin për zhvillimin e seancës së të enjtes, por kishin deklaruar se nuk preferonin të paraqiteshin në sallën e gjyqit dhe se do të përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre; Sokol Hazizaj, Genci Gjokutaj dhe Eno Bushi.
Ndërsa për të pandehurin tjetër, Suel Çela, i cili njihet edhe me emrin Marjus dhe me mbiemrin Lulaj, gjyqtari sqaroi se policia e Elbasanit ka njoftuar se nuk e ka gjetur në banesë dhe se i ati u kishte thënë se djali i tij ndodhej jashtë shtetit. Gjithashtu policia ka njoftuar gjykatën se i pandehuri Çela ishte në kërkim.
I pyetur nga gjykata, prokurori i çështjes, Behar Dibra i cilësoi të kryera njoftimet e dy të pandehurve Klemend Xhaferri dhe Enea Bekteshi dhe në kushtet e pranisë së mbrojtësve të zgjedhur prej tyre, vlerësoi se gjykimi mund të vazhdonte edhe pa praninë e këtyre të akuzuarve. Ndërkohë, lidhur me pamundësinë e njoftimit të drejtëpërdrejtë të të pandehurit Suel Çela, prokurori Dibra u shpreh se gjykata duhej të urdhëronte policinë të kryente kërkime edhe jashtë Shqipërisë, pasi ndaj tij ka një urdhër kërkimi ndërkombëtar. Prokurori Dibra nuk e cilësoi pengesë mungesën e katër oficerëve të policisë, duke u shprehur se ata kanë marrë dijeni për zhvillimin e seancës, por kanë preferuar të mos vijnë.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve e lanë ta çmonte gjykata nëse mund të vazhdohej gjykimi në kushtet e mungesës së një prej të pandehurve, që nuk ishte arritur të njoftohej dhe mungesës së katër oficerëve të policisë.
Pasi treshja gjykuese u tërhoq për vendim të ndërmjetëm, e vlerësoi të pjesshëm njoftimin e policisë së Elbasanit për të pandehurin Suel Çela. Gjithashtu, bazuar në deklaratën e babait të të pandehurit Çela, që bënte me dije se djali i tij gjendet jashtë shtetit, gjykata vendosi urdhërimin Policisë së Elbasanit dhe Interpol Albania që duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar të mundësojnë përcaktimin e adresës së tij jashtë Shqipërisë, me qëllim bërjen të mundur njoftimin e tij për zhvillimin seancës së ardhshme.
Ngjarja me objekt gjykimi ka ndodhur më 18 shtator të vitit 2017 në Elbasan, kur policia ishte duke ushtruar kontrolle në kuadër të masave për personat me rrezikshmëri të lartë. Pranë vendit të quajtur tregu Agro-Ushqimor në Elbasan, policia ndaloi dy persona, Enea Bekteshin dhe Klemend Xhaferrin të cilët kundërshtuan punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës. Në këto momente një autoveturë tip “Audi” ka ardhur me shpejtësi drejt mjeteve të policisë duke u përplasur me to. Duke qenë se policia ka qenë në aksion, dyshohet se drejtuesi i “Audit” t’i ketë përplasur me dashje.
Sipas prokurorisë, makina drejtohej nga Suel Çela, i cili akuzohet nga pokuroria se pasi kreu përplasjen u fut brenda tregut Agro-Ushqimor. Më pas dera e tregut u mbyll dhe kjo solli vonesa për futjen e efektivëve të policisë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i akuzon Suel Çelën, Klemend Xhaferrin dhe Enea Bekteshin për veprat penale “vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “prodhim dhe shitje narkotikësh”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.