Analize9 Jan 2018

Gjyqet për terrorizëm në Ballkan zbulojnë lidhjet me Europën Perëndimore

Gjyqet e terrorizmit të islamikëve ballkanikë tregojnë se shumë nga këta individë ose ishin të indoktrinuar nga komunitetet e radikalizuara në Gjermani, Austri dhe Itali ose kishin lidhje me to.

Autor: Elameri Skrgic Mikulic, Fatjona Mejdini, Maria Chereseva, Maja Zivanovic, Labinot Leposhtica BIRN Sarajevë, Tiranë, Sofje, Beograd, Prishtinë
Printo

“Nuk e di çfarë është Shteti Islamik”, i tha Ahmed Moussa gazetarëve kur u lirua përkohësisht nga burgu në Bullgari në nëntor.

Një imam nga Iztok, ai u arrestua tre vjet më parë bashkë me 13 romë të tjerë të dyshuar për nxitje të urrejtjes fetare dhe përhapje të propagandës së ISIS.

Ai dhe dy të tjerë u akuzuan se kanë mbështetur xhihadistët e huaj që udhëtonin për në Siri.

Moussa ishte i krishterë deri në moshën 20-vjeçare, kur ndiqte kishën ungjillore në vend. Megjithatë, ai u kthye më pas në praktikant i islamit radikal në Iztok.

Dokumentet e gjykatës nga dënimet e tij të mëparshme për përhapje të urrejtjes fetare nxjerrin në pah procesin e transformimit të tij.

Ai u konvertua në fenë islame gjatë një vizite në Austri në mesin e viteve 1990. Më vonë, ai ndoqi një kurs një-vjeçar për imamët në fshatin bullgar Surnitsa, ku mësuesi i tij i diplomuar nga Arabia Saudite, e prezantoi atë me idetë fanatike të selefizmit.

Hetimi për Moussa dhe grupin e tij krijoi lidhje me komunitetin e madh bullgar në Këln të Gjermanisë, ku shumë romë kanë shkuar në kërkim të punësimit.

Një dëshmitar i çështjes u tha prokurorëve se një nga të pandehurit e tjerë, Angel Simov, njihte një turk që dyshohet se e ndihmoi të udhëtonte drejt Sirisë, ndërsa punonin së bashku në Gjermani.

Në Këln, në vitin 2001, Moussa hyri në kontakt me një organizatë radikale turke, Kalifatsstaat (Kalifat) dhe ra dakord të përhapë idetë e tyre, thuhet në dokumentet e gjykatës. Autoritetet gjermane e bënë të jashtëligjshëm grupin në dhjetor të atij viti.

Rasti i Moussës nuk është një çështje e izoluar. Gjyqet lokale në vazhdimësi në Ballkan për terrorizëm dhe pjesëmarrje në konflikte të huaja që BIRN ka monitoruar tregojnë se shumë të pandehur ose morën financim nga organizata dhe individë nga Europa ose u influencuan nga fanatikë islamikë në Europë, kryesisht në Gjermani, Austri dhe Itali.

Qendër boshnjakësh xhihadistë në Austri

Procedimet gjyqësore në Bosnje, Serbi dhe Austri tregojnë se shumica e islamistëve radikal boshnjakë kanë pasur lidhje me grupet e diasporës në Austri.

Përveç afërsisë gjeografike të Austrisë, disa ekspertë besojnë se kjo vjen për shkak se Austria i jep liri të madhe organizatave fundamentaliste për të vepruar.

“Për shkak të hapjes së shoqërisë austriake ndaj lirive fetare dhe popullatës së saj të konsiderueshme nga Ballkani, ka qenë e lehtë për predikuesit e islamit radikal të krijonin organizata, përfshirë edhe predikuesit islamikë më radikal”, tha për BIRN profesor Jasmin Ahiç nga fakulteti për studime të sigurisë.

Në vitin 2016, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e shpalli Nedzad Mujiç fajtor për ndihmë financiare ndaj luftëtarëve të huaj, kur udhëtoi disa herë nga Austria në Siri nga viti 2013 deri në vitin 2015.

Gjykata zbuloi se Mujiç kishte udhëtuar në Siri nga Austria me sasi të mëdha parash me vetë, të cilat ai ia jepte më pas xhihadistëve boshnjakë që luftonin regjimin laik të presidentit Assad.

Mujiç u dënua me një vit burg, të cilin iu lejua ta shlyente duke paguar një gjobë prej 15,000 euro. Më pas ai u kthye në Austri, ku ai zotëron një biznes privat.

Gjykatat e Austrisë kanë ndjekur penalisht edhe çështje të tjera të lidhura me xhihadistët boshnjakë.

Kur dy adoleshente boshnjakë, Sabina Selimoviç dhe Samra Kesinoviç shkuan nga Austria në Siri tre vjet më parë, policia austriake arrestoi Mirsad Omeroviçin, të ashtuquajtur “Ebu Tejim” dhe 12 të tjerë të dyshuar se kanë rekrutuar vullnetarë për veprimtari terroriste.

Besohet se Omeroviç, i lindur në qytetin boshnjak Tutin, në jugperëndim të Serbisë, ishte i rëndësishëm në rrjetin e Shtetit Islamik në Europë.

Ai thuhet se ka vepruar si lidhje mes liderëve të ISIS me seli në Raqqa, Siri dhe xhihadistëve boshnjakë, përfshirë edhe predikuesin e dënuar islamik Bilal Bosniç.

Në vitin 2015 Omeroviç u dënua me 20 vjet burg. Gjykimi i tij zbuloi gjithashtu se kishte drejtuar një xhami ku shkonin më e madhe e xhihadistëve nga ish-Jugosllavia.

Shërbimet boshnjake të sigurisë besojnë se islamikët radikalë me bazë në Austri kishin në zotërim Vijesti Ummeta, një faqe interneti që përhap propagandë të ISIS në gjuhën boshnjake.

Gjyqet e vazhdueshme në Serbi për aktivitetet terrorist në Siri zbuluan gjithashtu se shumë të rinj që rekrutuan moshatarë të tyre nga qyteti boshnjak i Novi Pazarit, kishin lidhje financiare ose shpirtërore me Austrinë dhe se selitë e tyre u vizituan nga predikuesit radikal islamikë nga Vjena.

Xhihadistët shqiptarë shohin nga Italia

Shqiptarët kanë lidhje më të ngushta me Italinë, e cila shpesh është një qendër për kriminelët shqiptarë, rrjetet e krimit të organizuar dhe së fundmi, xhihadistët. Foto: BETA

Përveç boshnjakëve, myslimanët shqiptarë – nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia – kanë ofruar një tjetër grup të rëndësishëm luftëtarësh nga Ballkani për në Lindjen e Mesme.

Derisa Bosnja është historikisht e orientuar drejt Austrisë, shqiptarët kanë lidhje më të ngushta me Italinë, e cila shpesh është një qendër për kriminelët shqiptarë, rrjetet e krimit të organizuar dhe së fundmi, xhihadistët.

Gjyqi në Kosovë i Samet Imishitit, i cili përdorte Facebookun për të përhapur propagandën e ISIS, tregoi se ai udhëtonte shpesh në Itali dhe kishte lidhje atje me diaspora nga Kosova dhe Shqipëria.

Policia italiane vitin e kaluar arrestoi katër militantë të dyshuar islamikë nga Kosova, të gjithë me leje qëndrimi në Itali, pas 12 bastisjeve, prej të cilave dhjetë në qendrën historike të Venecias, një në Mestre, lagjen kontinentale të Venedikut dhe një në Treviso aty pranë.

Raportimet në media thanë se bisedat telefonike midis të dyshuarve i shfaqën ata duke festuar sulmin islamik terrorist në mars 2017 në Londër, ku Khalid Masood, 52 vjeç, kaloi një makinë nëpër turmën e kalimtarëve në Uestminster, duke vrarë tre kalimtarë, para se të vriste edhe një polic jashtë parlamentit.

“Ata të gjithë u lidhën me ideologjinë e ISIS dhe ishin të interesuar për sulmet e fundit, mbi të gjitha atë në Londër, që e vlerësuan”, tha Adelchi D’Ippolito, një prokuror i çështjes.

Ata gjithashtu dyshohet se kanë shkarkuar informacion nga faqet ekstremiste të internetit për mënyrën si të kryejnë sulme terroriste.

Derand Krasniqi, ekspert i sigurisë në Tiranë, tha për BIRN se shumë nga çështjet më problematike terroriste që përfshinin shqiptarët kishin lidhje italiane, duke vënë në dukje gjithashtu se autoritetet italiane kanë deportuar të paktën 15 shqiptarë gjatë viteve të fundit për ekstremizëm.

Në maj 2017, Italia dëboi një 25-vjeçar shqiptar që jetonte në Bergamo prej tetë vitesh pasi u akuzua se mbështeste në mënyrë aktive ideologjinë e ISIS.

Në tetor, një shqiptar i Shqipërisë dhe një shqiptar maqedonas u dëbuan nga Italia, pasi policia anti-terroriste në Bari mësoi se komunikonin vazhdimisht me një radikal pro ISIS.

Në rastin e fundit të tillë, në nëntor të vitit 2017, një shqiptar 22 vjeç që jetonte në Rimini u dëbua në Shqipëri pasi thuhet se shkeli arrestin në shtëpi pasi shkoi në një kishë dhe i kërkoi besimtarëve të ktheheshin në islam.

Autoritetet italiane gjithashtu dyshojnë se qelizat radikale islamike në Shqipëri patën rol të rëndësishëm në mundësimin e transportimit të militantëve nga Italia në Siri, përfshirë familje të tëra, si në rastin e Aldo Kobuzi dhe Maria Guila Sergio, të cilësuar nga media italiane si “Zonja Xhihad” .

Sipas një dokumenti të cilin BIRN e ka parë, Ministria e Brendshme e Italisë në vitin 2015 identifikoi pesë qeliza radikale nga Ballkani që vepronin në Itali dhe rekrutonin luftëtarë xhihadistë për Shtetin Islamik.

Qelizat në Milano, Romë, Liguria, Luça dhe Sienë u infiltruan në bashkësitë lokale të emigrantëve myslimanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja.

Derand Krasniqi tha se autoritetet gjermane, belge dhe britanike u shqetësuan gjithashtu për aktivitetet në vendet e tyre të anëtarëve të radikalizuar të diasporës ballkanike.

Ai beson se makineritë propaganduese të ISIS kanë pasur një ndikim të madh si te emigrantët e brezit të parë por edhe atij të dytë nga Ballkani në vendet perëndimore.

Ata u larguan fillimisht për një jetë më të mirë, duke ikur nga varfëria dhe papunësia në Ballkan, por përfunduan duke u bërë shënjestra të islamistëve radikalë që u ofruan atyre perceptimin e tyre për integrimin dhe përkatësinë.

I tillë ishte rasti me Përparo Delia, një shqiptar i Kosovës raportuar i vdekur muajin e kaluar, pas një aksidenti me makinë në Siri.

Sadri Delija, babai i tij, i tha BIRN se ai e mori lajmin për vdekjen nga vjehrra e djalit të tij, e cila jeton në Gjermani, nga ku i riu udhëtoi për në Siri.

“Nuk e kam parë djalin prej shtatë vjetësh. Ai shkoi në Gjermani për të studiuar teologji dhe gjuhën,” tha babai. “Kur shkoi në Siri, nuk kishte nisur lufta. Është vullneti i Allahut, ky ka qenë fati i tij”, tha ai.