Gjyqtarët Petraq Dhimitri dhe Kliton Spahiu si dhe biznesmeni Namik Sadik e konsideruan hetimin e prokurorisë të fabrikuar dhe mohuan që udhëtimet e tyre drejt Spanjës dhe Italisë të ishin paguar nga biznesmeni.
Në një seancë tre orëshe në Gjykatën e Krimeve të Rënda të enjten, dy gjyqtarët e akuzuar për “korrupsion pasiv”, Petraq Dhimitri dhe Kliton Spahiu si dhe biznesmeni Namik Sadik mohuan akuzat e ngritura kundër tyre dhe kërkuan pafajësi. Gjatë konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, ata akuzuan gjithashtu prokurorinë për falsifikim të fakteve.
Gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Dhimitri dhe Spahiu po përballen me kërkesën e Prokurorisë për dënimin e tyre me 3.5 vite burg, ndërsa për gjyqtarin Petrit Çeno, i cili nuk i ka paraqitur ende konkluzionet përfundimtare u kërkua dënimi me 2 vjet burg. Biznesmeni Namik Sadik, i cili akuzohet se ka paguar udhëtimet e tyre drejt Spanjës dhe Italisë rrezikon gjithashtu një dënim me dy vite burg për veprën e “korrupsionit aktiv” –ndërkohë që katër të pandehurit kanë pranuar gjykimin e shkurtuar.
Sipas prokurorëve Klodian Braho dhe Arenc Çela, tre gjyqtarët dhe biznesmeni Sadik ndërmorrën një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madrid-Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico” –udhëtim që sipas tyre u pagua nga Sadik.
Gjyqtarët akuzohet se dhanë një vendim të favorshëm për biznesmenin në një proces gjyqësor civil.
Avokati mbrojtës i gjyqtarit Spahiu pretendoi para gjykatës se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë që udhëtimet janë paguar nga Sadiku si dhe akuzoi atë se nuk ka bërë asnjë analizë ligjore dhe as se sa ishte vlera e korrupsionit të pretenduar.
“Prokurorët janë ndikuar nga njerëz të afërm të kallëzuesit,” tha avokati i Spahiut, ndërsa shtoi se vetë prokuroria arrinte në përfundimin se pagesa e hotelit ishte paguar nga djali i Petrit Çenos.
Pretendimet për fabrikimin e çështjes u përforcuan nga vetë Spahiu, i cili tha se denoncuesi i tyre, Oliver Ushina ishte bashanaku i ish-shefit të task-forcës në Prokurorinë e Durrësit, Dritan Gina.
Edhe avokati i biznesmenit Sadiku, Sajmir Visha mohoi që klienti të ketë paguar për të pandehurit e tjerë ndërsa shtoi se në udhëtimin në Itali ai nuk kishte qenë në të njëjtin qytet me gjyqtarët.
“Edhe nëse do të provohej se ata kanë udhëtuar bashkë dhe se kanë fjetur në të njëjtin hotel, s’ka asnjë provë që të ketë paguar,” tha Visha, duke shtuar se edhe udhëtimi i Sadikut në Spanjë nuk ka asnjë lidhje me udhëtimin e gjyqtarëve.
Duke pretenduar mungesën e plotë të provave, Visha kërkoi deklarimin e pafajshëm të klientit të tij. Ai shtoi megjithatë se në rast se gjykata do të vendoste ndryshe, ai kërkonte pezullimin e dënimin dhe vendosjen e klientit të tij në shërbim prove, duke paraqitur edhe një epikrizë për problemet e tij me shëndetin.
Në fjalën e tij para gjykatës, Sadiku e cilësoi hetimin kundër tij dhe tre gjyqtarëve të qëllimshëm dhe të imponuar për shkak të lidhjeve që kallëzuesi Ushina kishte me drejtues të Prokurorisë. Sadiku këmbënguli se nuk kishte asnjë lidhje me udhëtimet e gjyqtarëve në Itali dhe në Spanjë dhe kërkoi më pas të largohej nga salla, duke thënë se kishte probleme shëndetësore dhe nuk mund të qëndronte më gjatë.
Gjyqtari Petraq Dhimitri parashtroi gjithashtu para gjykatës mbrojtjen e tij prej 34 faqesh, duke përsëritur argumentet për fabrikim të hetimit. Dhimitri pretendoi gjithashtu se prokurori Klodian Braho ishte caktuar të hetonte këtë çështje në mënyrë të qëllimshme.
“Asnjë shpjegim ligjor apo analizë juridike nuk ka. Pagesat në Spanjë janë bërë nga Fatjon Pula dhe ai asnjëherë nuk deklaron se Namik Sadik i ka kërkuar të prenotojë për gjyqtarët,” tha Dhimitri në seancë.
“Namik Sadik e njoh vetëm pasi Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar seminaret në hotelin e tij,” shtoi Dhimitri, i cili akuzoi prokurorin se kishte paraqitur të dhëna të rreme para gjykatës dhe kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 10 tetor, ora 13:30. Para shpalljes së vendimit, pritet që të paraqesin konkluzionet përfundimtare avokati i Dhimitrit dhe gjyqtari Petrit Çeno.