Medi Bici nga Gjykata e Lartë, Ilir Toska dhe Brikena Ukperaj nga gjykatat e apeleve dhe Dritan Hallunaj, Brunilda Kadi dhe Marcela Shehu nga shkalla e parë janë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ngritja e institucioneve të reja përshëndetet nga trupi diplomatik në Tiranë.
Gjyqtarët e Shqipërisë votuan të mërkurën gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke zhbllokuar ngërçin që zgjat prej më shumë se dy vitesh me arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë në vend. Më 399 gjyqtarë të pranishëm dhe vetëm 15 mungesa, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i zgjati punimet për tetë orë dhe u mbyll pas numërimit të të gjitha votave.
Ngritja e KLGJ-së u përshëndet nga trupi diplomatik në Tiranë.
“Në përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajën e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë,” tha ambasada e SHBA në një deklaratë të shpërndarë në mbrëmje.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor,” deklaroi delegacioni i Bashkimit Europian.
Gara u zhvillua për tre poste në qeverinë e gjyqësorit, pasi tre prej kandidatëve, Medi Bici nga Gjykata e Lartë, Brikena Ukperaj nga Apeli i Vlorës dhe Marcela Shehu nga Gjykata e Kurbinit ishin të zgjedhur automatikisht për shkak të mungesës së konkurrentëve.
Katër kandidatë nga shkalla e parë, Astrit Faqolli, Brunilda Kadi, Dritan Hallunaj dhe Manjola Xhaxho konkurruan mes tyre për dy vendet e shkallës së parë, ndërsa gjyqtarët Ilir Toska dhe Nertina Kosova për përfaqësuesin e gjykatave të Apeleve.
Gjyqtari Dritan Hallunaj mori mbështetjen më të madhe nga kolegët e tij, duke grumbulluar 215 vota. Gara për vendin e dytë ishte gjithashtu e fortë, por u fitua me gjashtë vota diferencë nga gjyqtarja Brunilda Kadi.
Prej vitit 2015, Kadi është anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Edhe gjyqtari Hallunaj ka qenë më parë anëtar i këtij Këshilli, që të mërkurën pushoi së funksionuari.
Për shkak se gjyqtarja Ukperaj e kishte vendin të sigurt si përfaqësuese e Apeleve të rretheve, gara për postin e dytë u zhvillua mes Ilir Toskës, gjyqtar i Apelit të Tiranës dhe Nertina Kosovës, gjyqtare e Apelit të Krimeve të Rënda. Pas procesit të numërimit, Toska rezultoi fitues me 200 vota kundrejt 111 votave që shkuan në favor të Kosovës.
Ndryshe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të zgjedhurit për Këshillin e Lartë Gjyqësor i kanë mbyllur hesapet me procesin e vetingut. Asnjëri prej tyre nuk rezulton të jetë kontestuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është një nga institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi. KLGJ është një organ kolegjial i përbërë nga 11 anëtarë. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civilë.
Anëtarët ë Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5 vjeçare, pa të drejtë zgjedhjeje të njëpasnjëshme. Ata gëzojnë pagën dhe përftimet e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Medi Bici-Gjykata e Lartë
Ilir Toska-Gjykata e Apelit të Tiranës
Brikena Ukperaj-Gjykata e Apelit të Vlorës
Dritan Hallunaj, Gjykata e Krimeve të Rënda
Brunilda Kadi, Gjykata e Tiranës
Marcela Shehu-Gjykata e Kurbinit