Lajm18 Nov 2019

Gjyqtari Ahmet Jangulli del përfundimisht nga sistemi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi unanimisht në dhomë këshillimi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për shkarkimin e gjyqtarit Ahmet Jangulli.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i gjykatës administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli në seancën dëgjimore. Foto: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të hënën më datë 18 nëntor lënien në fuqi të vendimit nr.67, datë 5 dhjetor 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Shkodër, Ahmet Jangulli.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe  Ardian Hajdari, Ina Rama e Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen lidhur me ankimin e gjyqtarit Jangulli, kundër vendimit të KPK. Kolegji e shqyrtoi ankimin në dhomë këshillimi dhe në mënyrë unanime ka vendosur të hënën të rrëzojë pretendimet e Jangullit.

KPK vendosi më 5 tetor 2018 shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ahmet Jangulli, pasi gjatë procesit të rivlerësimit të tij u konstatuan probleme në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 3 tetor 2018, Komisioni ngriti dyshime për mungesë burimesh të ligjshme për kursimet me vlerë 12 milionë lekë, favorizim të një pale në proces, zvarritje të përsëritura të gjykimit dhe në disa raste edhe mungesë të etikës.

Gjyqtari Jangulli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe pretendoi se analiza financiare nuk kishte marrë parasysh pagën e bashkëshortes notere. Ai kundërshtoi gjithashtu gjetjet e DSIK-së për një rast të dyshuar korrupsioni.