Lajm25 Jul 2018

Gjyqtari Ardian Dvorani kalon testin e vetingut

Anëtari i Gjykatës së Lartë u deklarua i pastër në justifikimin e pasurisë, në pastërtinë e figurës dhe në aftësitë profesionale, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, gjatë një seance të Komisionit te Pavarur të Kualifikimit, KPK, ” Foto nga :LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të mërkurën në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Dvorani mori fillimisht një vlerësim negativ nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pasi nuk kishte deklaruar në deklaratën “veting” një shumë prej 9.9 milionë lekësh kursime të familjarëve të tij të mbajtura në banka.

Për këto likuiditete Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe vetë Dvorani shpjeguan gjatë seancës dëgjimore me 23 korrik se këto kursime janë deklaruar në deklaratën periodike vjetore të subjektit ndërsa mosdeklarimi në deklaratën “veting” ka qenë pasaktësi dhe jo fshehje.

Megjithë pasaktësinë e konstatuar, gjatë procedurë së hetimit administrativ gjyqtari 54 vjeçar arriti të bindte trupën gjykuese përbërë nga kryetari Roland Ilia me anëtarë Entela Çiftja dhe relatore Firdes Shuli, se deklarimi i pasurisë së tij ishte i saktë.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) në raportin e saj për komisionin bëri të ditur se nuk disponon informacion për kontakte të Dvoranit me elementë të krimit ndërsa Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dha gjithashtu opinion pozitiv për punën e tij si gjykatës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri të ditur se nga publiku ka pasur 8 denoncime, të cilat, pasi janë verifikuar, nuk kanë rezultuar me probleme.

KPK vlerësoi cilësinë e punës së tij si gjykatës “pranueshëm

Dvorani është diplomuar në vitin 1988 në Tiranë dhe ka punuar si prokuror në Shkodër në vitet e fundit të komunizmit. Nga viti 1991 ai ka punuar si drejtor në kompaninë INSIG sh.a, (në atë kohë nën pronësi publike) si dhe si avokat mes viteve 1994 dhe 1998.

Dvorani ka punuar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Ministrave në periudhën mars 1998- shtator 1999, sipas CV-së zyrtare, periudhë që përkon me qeverisjen e ish-kryeministrave Fatos Nano dhe Pandeli Majko. Ai ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë deri në shkurt 2015, kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë me propozim të presidentit Alfred Moisiu.

Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës së vitit 1998 ishte nëntë vjet pa të drejtë rizgjedhjeje. Mandati i Dvoranit ka përfunduar në vitin 2014, por ai po pret zëvendësimin. Zëvendësimi i tij duhet të kryhet pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ do të mund të krijohet pas përfundimit të procesit të vetingut për kandidatët për këtë këshill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *