Lajm11 Jul 2018

Gjyqtari Artan Lazaj shkarkohet nga detyra për pasuri të pajustifikuara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Lazajt pas gjetjeve se kishte burime të pamjaftueshme për pasuritë e tij, pavarësisht kundërshtimeve të subjektit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj dhe avokati i tij në seancë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj u shkarkua nga detyra të mërkurën, pasi hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjeti më parë se ai nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për pasurinë si dhe kishte bërë deklarim të rremë.

Lazaj ishte i pranishëm gjatë seancës së shkurtër të shpalljes së vendimit, që preu në mes karrierën e tij në gjyqësor dhe planet për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Lazaj u zgjat në dy seanca dëgjimore, pas kërkesave të përsëritura të avokatit të tij për përjashtimin fillimisht të trupës gjykuese dhe të kryetares së saj, Brunilda Bekteshi, por pa sukses.

Hetimi i thelluar administrativ arriti në përfundimin se gjyqtari Artan Lazaj kishte burime të pamjaftueshme financiare për blerjen e një apartamenti 120 metra katrorë në Tiranë në vitin 2004; deklarata kontradiktore dhe transaksione jashtë sistemit bankar për blerjen e një apartamenti 128 metra katrorë në Tiranë në vitin 2011, parregullsi në blerjen e një toke prej 1 mijë metrash katrorë në Porto Palermo si dhe mosdeklarim të pjesës takuese të bashkëshortes së gjyqtarit në një apartament në Bulqizë.

Relatori i çështjes tha gjithashtu se subjekti e kishte deklaruar apartamentin që zotëron aktualisht për 120 mijë euro në deklaratën e vitit 2011 dhe 129 mijë euro në deklaratën “veting”.

Gjyqtari Lazaj i hodhi poshtë gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe u ankua se nuk ishin marrë parasysh provat e dorëzuara prej tij.

“Kam dhënë dënime të përjetshme dhe disa prej tyre nuk janë arrestuar ende nga Policia e Shtetit. Më kanë kërcënuar me jetë, shikoni shkrimet,” tha Lazaj në seancën e 2 korrikut përballë KPK-së.