Lajm30 Apr 2021

Gjyqtari Genti Dokollari kalon me sukses vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi unanimisht të konfirmojë në detyrë gjyqtarin Genti Dokollari, duke i hapur rrugën promovimit të tij në Gjykatat e Apelit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Genti Dokollari takon familjarët pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Genti Dokollari. Dokollari u pyet gjatë seancës dëgjimore të enjten për blerjen me çmim preferencial të një automjeti nga një mik i tij, ndërkohë që ai mori vlerësime pozitive për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Trupi gjykues që kreu rivlerësimin për gjyqtarin Genti Dokollari kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Cardi.

Genti Dokollari u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe stazhin e kreu në vitin 2014 në Gjykatën e Tiranës. Në këtë gjykatë ai është caktuar provizorisht deri në vitin 2017, ndërsa më vonë u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Prej vitit 2018, Dokollari e kryen funksionin si i caktuar provizorisht në Gjykatën e Kavajës. Dokollari ka aplikuar gjithashtu për t’u promovuar si gjyqtar Apeli në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Paralelisht me funksionin si gjyqtar, ai është angazhuar edhe në mësimdhënie.