Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka nisur hetim pas kallëzimit të një shtetaseje, e cila thotë se qe paraqitur në gjykatë për një gjyq divorci por qe përndjekur në vijimësi nga gjykatësi i çështjes që kërkonte seks në shkëmbim të sigurimit të një avokati falas pasi qytetarja nuk kishte mundësi financiare të paguante një të tillë.
Shyqyri Çobo, gjykatës në Berat, i cili qe vënë në vitin 2012 nën hetim për fshehje pasurie dhe pati shpëtuar duke deklaruar se nuk e mbante mend posedimin e një llogarie bankare të padeklaruar me vlerë 1.9 milionë lekë, u pezullua nga detyra sot (29 qershor) me një vendim gjykate të kërkuar nga prokuroria, e cila e ka marrë si të pandehur për veprën penale “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….” pas një kallëzimi të kryer nga një qytetare.
Sipas një njoftimi zyrtar të Prokurorisë qytetarja qe paraqitur para gjykatësit në një proces divorci, proces që qe pasuar nga mbi 300 telefonata dhe mesazhe nga gjykatësi që ofronte të gjente një avokat falas dhe një vendim favorizues në shkëmbim të seksit për qytetaren, e cila qe paraqitur në gjykatë pa avokat pasi nuk kishte mundësi financiare të paguante.
“Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik””, shkruhet në njoftimin e prokurorisë.
“Në vijim, nga kqyrja e aparatave dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.
Për këtë arsye, shtetasja, (emri i të cilës nuk publikohet për ruajtjen e privatësisë), është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda”, vijon më tej njoftimi.
I pandehuri ka mohuar akuzën pavarësisht fakteve të grumbulluara nga hetimi.
Një numër gjykatësish e prokurorësh kanë përfunduar nën pranga gjatë viteve të fundit në Shqipëri pas hetimeve të prokurorisë. Në maj, gjykatësi Ibrahim Hoxha u arrestua në kushtet e flagrancës nga policia, e cila e kishte mbajtur nën përgjim për një ryshfet prej 600 mijë lekësh.
Shyqyri Çobo, gjyqtar në Berat u kallëzua nga ILDKPKI më 8 shkurt 2012 pasi një apartament të blerë për 65 mijë euro e kishte deklaruar në vlerën e 6 milionë lekëve. Gjyqtari u mbrojt para hetuesve me argumentin se mospërputhja e vlerës ishte “një gabim njerëzor”.
Në kallëzim, ai akuzohej gjithashtu se nuk kishte deklaruar një llogari bankare të bashkëshortes, në vlerën e 1.9 milionë lekëve. Gjyqtari u justifikua sërish, me pretendimin se nuk kishte dijeni për këto para të ndara mënjanë nga e shoqja.
Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria verifikoi edhe burimin e parave me të cilat gjyqtari kishte blerë apartamentin 120 metra katrorë në Durrës. Gjyqtari deklaroi se kishte marrë disa shuma parash përmes transfertave bankare dhe në rrugë informale nga i biri që punonte prej 10 vitesh si emigrant në Angli.
Policia i konfirmoi Prokurorisë se djali i gjyqtarit nuk kishte hyrë asnjëherë në Shqipëri në vitet 2005-2010. Por e dashura e tij, në llogarinë e së cilës u deklarua se kishin mbërritur 11 mijë paund dhe 15 mijë euro nga Anglia pretendoi se ishte njohur me të në Durrës në vitin 2008, teksa stërviteshin në të njëjtën palestër.
Prokuroria zbuloi se paratë ishin transferuar në vitin 2010, ndërsa llogaria bankare ishte hapur në vitin 2012. Por edhe kjo mospërputhje nuk shërbeu për të regjistruar një procedim penal ndaj gjyqtarit të kallëzuar.
Ai u fal nga prokuroria e cila argumentoi se çështja duhet të mbyllet pa akuzë në gjykatë për shkak se mosdeklarimi i pasurisë kishte ndodhur për shkak të “harresës, moskuptimit apo keqinterpretimit”.