Lajm25 Feb 2019

Gjyqtari i “El Classico” përballet me probleme të pasurisë në veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi një listë të gjatë problemesh me pasurinë e kryetarit të pezulluar të Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petrit Çeno, ndërkohë që përfaqësuesit e tij u mbrojtën me precedentin “Prela”.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gloria Çeno, vajza dhe përfaqësuese e gjyqtarit Petrit Çeno dhe avokati i tij, Rafik Gurra para seancës dëgjimore me KPK.

Seanca dëgjimore për ish-kreun e Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petrit Çeno nisi me debat mes përfaqësuesve të tij dhe trupës së drejtuar nga Lulzim Hamitaj, Etleda Çiftja dhe Olsi Komici të hënën, pas pretendimeve se pala mbrojtëse nuk ishte njohur me dosjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gloria Çeno, vajza dhe përfaqësuesja e gjyqtarit Petrit Çeno si dhe avokati Rafik Gurra deklaruan në seancë se ndonëse kishin bërë kërkesë paraprake, nuk e kishin marrë dosjen e plotë të rivlerësimit, duke e cilësuar këtë shkelje të gjykimit të drejtë dhe të barazisë së palëve në proces.

Pretendimi u kundërshtua nga kreu i trupës gjykuese, Hamitaj, i cili tha se subjekti ishte njoftuar më 30 janar përmes emailit se kishte 10 ditë kohë për t’u njohur me dosjen, por nuk e kishte ushtruar këtë të drejtë. Siç u bë më pas e qartë në seancë, në ditën e dhjetë të afatit, Çeno kishte dërguar pranë Komisionit 14 kërkesa paraprake, pjesa dërrmuese e së cilave lidheshin me njohjen e dosjes.

Petrit Çeno ka një karrierë 28 vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe prej më shumë se 15 vitesh e ka ushtruar funksionin e tij në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2015, ai është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me gjyqtarit Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të cilët akuzohen se kanë përfituar një udhëtim falas për të parë një ndeshjen e futbollit mes Barcelonës dhe Real Madrid, e njohur si derbi “El Classico”.

Relatorja Etleda Çiftja tha në seancë se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKPKI, kishte dorëzuar një raport negativ mbi burimet financiare të gjyqtarit Petrit Çeno. Gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shkuan në të njëjtën linjë.

Relatorja Etleda Çiftja tha se Komisioni kishte gjetur probleme me pasuritë e paluajtshme të familjes Çeno; një apartament 98 m2 + garazh, një apartament 79 m2 në Golem si dhe një apartament 144 m2 dhe një garazh në Tiranë.

Ajo konstatoi se subjekti nuk kishte paraqitur dokumente për të ardhurat e bashkëshortes deri në vitin 1997, të cilat kishin shërbyer pjesërisht si burim për blerjen e apartamentit të parë si dhe një sërë mospërputhjesh në deklarime për dy pronat e tjera të patundshme.

Komisioni konstatoi gjithashtu se Çeno kishte pasaktësi në deklarimin e shtesave dhe pakësimeve ndër vite, duke pasur mungesë burimesh financiare prej 3.4 milionë lekësh.

Pikëpyetje u ngritën edhe mbi mënyrën e përfitimit nga ana e bashkëshortes së 5775 metrave tokë në Shkallnuer të Durrësit, një pjesë e së cilës iu dha më pas një kompanie ndërtimi në këmbim të 23% të sipërfaqes së ndërtuar. Lidhur me kompaninë ndërtuese LL.01, Çiftja deklaroi se Çeno kishte qenë edhe në konflikt interesi për shkak se nuk kishte hequr dorë nga gjykimi i një çështjeje ku ajo ishte palë.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës kishte vendosur rrëzimin e kërkesës së kompanisë, ndërsa trupa gjykuese në Apel, ku subjekti ishte pjesë e trupës gjykuese e pranoi kërkesën e kompanisë. Subjektit të rivlerësimit i janë kërkuar shpjegime për mosheqjen dorë,” tha Çiftja.

Përveç mungesës së burimeve të ligjshme dhe deklaratave kontradiktore, Komisioni renditi edhe një listë pasurish të padeklaruara, të tilla si një tarracë 150 metra ku më pas ishte ndërtuar një papafingo, përfitimin e një trualli nga ALUIZN-i, paqartësinë me një kredi 80 mijë euro të kaluar në llogarinë e kompanisë minerare të djalit të gjyqtarit si dhe aksionet e tij në tre kompani tregtare.

Vajza e gjyqtarit, Gloria Çeno u shfaq mosbesuese përballë trupit gjykues, duke e cilësuar të padrejtë vlerësimin e kryer të pasurisë. Në fjalën e saj të gjatë përballë Komisionit, Çeno e vuri theksin te vështirësia e hasur për të marrë përgjigje nga institucionet shtetërore, te mosmarrja parasysh e ndryshimeve që ka pësuar ligji për deklarimin e pasurisë si dhe te ajo që e quajti “standard të dyfishtë” nga ana e KPK-së.

“Është komike që Komisioni e nxjerr zonjën Çeno një grua të papunë, kur provat e sjella para jush tregojnë të kundërtën,” tha Gloria Çeno, duke iu referuar pamundësisë për të marrë dokumente nga Tatimet dhe bashkia e Durrësit për aktivitetin e saj tregtar.

Ajo sqaroi se Znj. Çeno kishte punuar si agjente doganore në vitet 1993-1996 dhe si prova për këtë kishte sjellë pagesën e sigurimeve shoqërore, një gent-plan që tregonte vendosjen e kioskës në portin e Durrësit, një llogari bankare si dhe vendimin e gjykatës për themelimin e kompanisë. Ajo shtoi se nuk kishin marrë asnjë përgjigje nga Tatimet dhe Bashkia e Durrësit dhe shprehu pakënaqësinë që Komisioni nuk ishte investuar për mbledhjen e provave.

Çeno argumentoi se përjashtimi i 6.2 milionë të ardhurave të nënës së saj nga analiza financiare ishte problemi kryesor që e nxirrte balancën negative dhe duke sjellë në vëmendje atë që e quajti “precedent të Donika Prelës”, ajo kërkoi që këto të ardhura të merren të mirëqena.

Pingpongu i replikave mes përfaqësuesve të gjyqtarit Çeno dhe trupit gjykues vazhdoi përgjatë gjithë seancës, ku Hamitaj kujtoi se Komisioni investohet për të mbledhur të dhëna, por në fund barra e provës i takon subjektit.  Në një rast, Hamitaj kujtoi përcaktimin ligjor se “të ardhura të ligjshme janë ato për të cilat janë paguar tatimet”, por Gloria Çeno risolli në vëmendje një vendim të dytë të diskutueshëm, atë të Xhezair Zaganjorit, që e cilësonte evazionin fiskal të ligjshëm.

Mbrojtja e ish-kreut të Apelit të Durrësit kundërshtoi një për një gjetjet e KPK-së dhe këmbënguli që familja ka pasur burime të ligjshme për pasuritë e blera. Lidhur me dyshimet për konflikt interesi, Çeno u përgjigj se vendimi ndaj kompanisë së ndërtimit kishte qenë i ndërmjetëm dhe jo themeli.

Në fund të seancës dëgjimore, avokati Rafik Gurra u ndal te hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Petrit Çenos, duke e cilësuar atë si absurd. Ai akuzoi Prokurorinë se “nuk kishte asnjë çështje kundër klientit të tij” dhe se kishte disinformuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që pezulloi më pas nga detyra Çenon.

Duke vënë në dukje diferencën mes dy proceseve, Gurra iu rikthye gjithashtu standardeve në KPK. “Çdo rregull paska dhe përjashtimin e tij,” tha ai.

Ndërsa Gloria Çeno kërkoi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që të rishikonte rezultatet e hetimit, të investohej për të siguruar provat në administratën lokale dhe qëndrore si t’i vlerësonte deklaratat vjetore të pasurisë në përputhje me ligjin e kohës.

Pas katër orëve seancë, trupa gjykuese u tërhoq për vendim dhe deklaroi se do ta shpallte atë në datën 27 shkurt, ora 10:00.