Lajm13 Jul 2018

Gjyqtari Ndreca përballet me akuza për pasurinë dhe kontakte të papërshtatshme

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pasuri të pajustifikuara dhe të padeklaruara nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca si dhe mosdeklarimin prej tij të procedimit penal të kunatit-ndërkohë që gjyqtari u mbrojt me argumentin se vepra penale e tij nuk është krim i organizuar.    

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Tom Ndreca dhe avokatja e tij, Mine Progonati para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë dhe “kontakte të papërshtatshme” për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua pasditen e së premtes.

Ndreca, i cili ka punuar për dy dekada në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe prej vitit 2013 ushtron detyrën në Gjykatën e Lartë ishte i pranishëm në seancë, i shoqëruar nga avokatja Mine Progonati. Ndërsa trupa gjykuese drejtohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtar Roland Ilia.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Ndreca u bazua në dy kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Relatorja Firdes Shuli tha se KPK kishte zhvilluar një hetim të thellë për gjyqtarin Ndreca, pavarësisht raporteve të para të ILDKPKI dhe DSIK që e nxirrnin atë të pastër.

Hetimi administrativ për kriterin e pasurisë përfshiu një apartament 120 metra katrorë me vlerë 2.4 milionë lekë dhe një garazh 18 metra katrorë me vlerë 468 mijë lekë dhe me burim shitjen e një apartamenti në Rrëshen, kursimet nga paga dhe hua nga të afërmit. Gjithashtu, hetimi përfshiu një apartament 74 metra katrorë në Golem, i blerë për 31 mijë euro në vitin 2009, një apartament 92 metra katrorë, i blerë për 6 milionë lekë, një automjet Golf me vlerë 200 mijë lekë, kursimet  në cash në vlerën e 1.5 milionë lekëve si dhe llogaritë bankare në emër të Ndrecës, bashkëshortes dhe djalit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar deklarata kontradiktore për vlerën e apartamentit 120 metra katrorë, mosdeklarimin e një garazhi dhe të një automjeti të blerë nga i biri në vitin 2005 si dhe mosjustifikimin e kursimeve në cash në vlerën e 1.3 milionë lekëve. Sipas relatores së çështjes, subjekti ka mospërputhje, mosdeklarim dhe mungesë burimesh të ligjshme për 1.3 milionë euro.

Sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka verifikuar përtej raportit të bardhë të dorëzuar nga DSIK dhe ka zbuluar se gjyqtari Ndreca nuk ka deklaruar në formularin përkatës precedentin penal të kunatit të tij-i cili merr cilësinë e personit të lidhur për shkak të një kontrate për blerjen e një makine.

Sipas relatores së çështjes, kunati me inicialet N.GJ ishte proceduar në vitin 2011 pasi ishte kapur me një sasi të vogël kanabisi. Më pas, gjatë një kontrolli të ushtruar në shtëpinë e tij policia kishte sekuestruar 6 kilogramë kanabis, por nuk ishte çuar për ndjekje penale pasi Prokuroria e Shkodrës nuk ka arritur të provojë se kush e kishte futur drogën në shtëpi.

Sipas relatores Shuli, Ndreca e ka ditur këtë fakt dhe nuk e ka deklaruar në formularin e pastërtisë së figurës. Por gjyqtari Tom Ndreca dhe avokatja e tij pretenduan se nuk e kanë fshehur këtë fakt, pasi nuk e kanë pasur detyrim për ta deklaruar.

I pyetur nëse kishte qenë në dijeni të nisjes së procedimit për kunatin, gjyqtari Ndreca e pohoi, por shtoi se nuk e dinte si kishte përfunduar çështja në Prokurori. Ndërsa avokatja Progonati argumentoi se KPK po bënte interpretim të gabuar të ligjit, pasi mbajtja e lëndëve narkotike për posedim vetjak nuk hyn te veprat e krimit të organizuar.

“Unë nuk e kuptova si vepër që bën pjesë të ato të krimit të organizuar,” përforcoi më tej edhe Ndreca.

Sa i përket pasurisë, anëtari i Gjykatës së Lartë pranoi se mund të kishte pasaktësi për shkak të harresës, por këmbënguli se nuk kishte pasuri të fshehura dhe as të pajustifikuara.

Ai pretendoi se nuk i ishin llogaritur të ardhurat nga pagat për vitet 1980-2003-por kur u pyet se pse nuk i kishte deklaruar këto kursime në vitin 2003 nuk dha ndonjë përgjigje bindëse.

Gjyqtarit Ndreca iu drejtua edhe një pyetje që lidhej me integritetin e tij nga relatorja Firdes Shuli, sa i përket një kërkese të tij për kredi të butë-e cila ishte refuzuar pasi ai zotëronte dy apartamente. Pyetjes nëse u përpoq të përfitonte në kushtet kur nuk kishte nevojë për strehim, gjyqtari Ndreca iu përgjigj: “Kisha dhe kam akoma nevojë për strehim, pasi jemi tre kurora në shtëpi”.

Në fund të seancës dëgjimore, avokatja Mine Progonati argumentoi se pasuria e gjyqtarit Tom Ndreca përbën vetëm 46 për qind të të ardhurave familjare, se ai kishte burime të mjaftueshme për pasurinë e tij dhe kërkoi rikonfirmimin e tij në detyrë.

Vendimi për fatin e gjyqtarit Tom Ndreca do të shpallet më 17 korrik.