Lajm2 Jun 2021

Gjyqtari Ramiz Lala dhe Komisioneri Publik paraqesin parashtrimet në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për verifikimin e një vendimmarrje të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala dhe të rikryejë analizën financiare për disa vite. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi shkaqeve të ankimit të ngritur ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala, duke theksuar se ishte i nevojshëm hetimi për dy vendimmarrje të subjektit të rivlerësimit dhe analizimi i mundësive financiare për investimet dhe shpenzimet për disa vite.

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala u konfirmua në detyrë më 26 korrik 2019 nga KPK. Vendimi erdhi pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit. Hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë, një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall. Gjithashtu, pjesë e verifikimeve u bënë edhe të ardhurat në vitet 2003-2006 nga puna si avokat, për të cilat gjyqtarit Lala iu kalua barra e provës dhe ai dorëzoi dokumente shtesë në KPK, që sollën përmbysjen e balancës negative.

“Është i nevojshëm hetimi gjyqësor për profesionalizmin. Duket se në dy gjykime ka disponuar me vendimarrje në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Ballhysa lidhur me dy çështje te denoncuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pas marrjes së vendimit nga KPK për konfirmimin e Lalës.

Ballhysa shpjegoi se Policia e Shtetit pretendon se me një prej vendimmarrjeve Lala i ka dhënë gradën “drejtues” punonjësit të policisë A.Gj., në kundërshtim me ligjin dhe procedurat përkatëse.

Sipas komisionerit, Lala ka vlerësuar t’i japë këtë gradë duke u bazuar tek vitet e eksperiencës dhe tek pozicioni që mbante dhe jo tek kriteret e përcaktuara në ligj.

“Duket se grada është dhënë me vendim gjyqësor pa analizuar më parë procedurat asministrative”, pohoi Ballhysa.

Ai vijoi se në rastin tjetër Policia e Shtetit pretendon se subjekti i rivlerësimit ka marrë vendim për një gjë të gjykuar dhe se ka tejkaluar objektin e padisë.

Ballhysa pohoi se kishte kryer verifikime të vendimeve në faqen online te gjykatave prej nga kishte konstatuar se punonjësini policisë S.R. kishte zhvilluar disa gjyqe të tjera kundër Policisë së Shtetit lidhur me gradën, çështje të cilat i kishte fituar duke përfituar dëm material e jo material, edhe për familjarët.

Sipas Komisionerit, kur S.R. është transferuar në Gjirokastër e ka kundërshtuar urdhërin në Gjykatën Administrative, ku gjyqtari Lala veç pranimit të objektit të padisë, ka vendosur që të kryhet pagesa si “Drejtues i Parë” edhe për vitet e mëparshme, të cilat i kishte fituar me vendime të tjera gjyqësore.

“Duket se subjekti i rivlerësimit ka disponuar me vendim për një gjë të gjykuar dhe ka urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm”, pohoi Ballhysa.

Gjithashtu, Komisioneri kërkoi të kryhej rivlerësim i zërave të analizës financiare për vitet 2011, 2012, 2014 dhe 2016.

Nga analiza paraprake e KPK-së është konstatuar balancë negative për këtë periudhë në shumën 1 milion e 235 mijë lekë, ndërsa pas shpjegimeve të Lalës, pamundësia financiare është reduktuar në shumën 88 mijë lekë.

Sipas Ballhysës, nga përllogaritja e të ardhurave në raport me shpenzimet duke u bazuar në jurispudencën e Kolegjit, rezulton balancë negative për vitet për të cilat kërkoi rikryerjen e analizës.

Gjyqtari Ramiz Lala foli shkurtimisht gjatë seancës gjyqësore publike në KPA. Ai dorëzoi prapësimet e tij me shkrim, vendimet gjyqësore për çështjet e denoncuara nga Policia e Shtetit dhe një akt ekspertimi financiar mbi të ardhurat dhe shpenzimet.

Lala tha se e mirëkuptonte Komisionerin për ankimin e kryer.

“Në ankim trajtohen vetëm dy çështje. Denoncimi i Policisë së Shtetit dhe metodolognia e KPK-së për analizën financiare”, tha Lala.

Ai theksoi se Policia e Shtetit nuk ngrinte pretendime për aftësitë e tij profesionale, por për themelin e çështjeve.

“Flitet për paligjshmërinë e dy vendimeve. Eshtë e njëjta gjë sikur Komisioneri të ankimojë një vendim të formës së prerë të KPA-së”, pohoi Lala.

Ai vijoi se denoncimi nuk kishte të bënte me vlerësimin e tij dhe se mund të kishte si qëllim që vendimi i KPA-së të përdorej nga Policia e Shtetit në procesin me palë paditëse S.R..

“Unë gjithmonë kam mbajtur standarde të njëjta. Policia e Shtetit një vendim e ankimoi dhe një jo”, vërejti Lala dhe aludoi se denoncimi dukej se kishte të bënte më shumë me paditësin S.R. pasi sipas tij çështja kishte kaluar “në personale”.

“Drejtoria e Policisë së Shtetit flet për themelin e çështjes, por është e ndaluar në këtë proces”, theksoi Lala dhe shtoi se pas dhënies së vendimit nga Kolegji ishte i gatshëm ti nënshtrohej çdo verifikimi për vendimarrjet.

Lidhur me pretendimet e ngritura nga Komisioneri për pasurinë, Lala deklaroi se në çfarëdo mënyre që të kryhej analiza financiare, balanca negative do të rezultonte e papërfillshme.

“Vendimi i KPK-së është i drejtë edhe pse duhej të konsideroheshin disa pretendime të miat”, tha Lala dhe kundërshtoi konstatimin e Komisionerit se Komisioni e kishte favorizuar në analizën financiare.

Komisioneri Publik theksoi në fund të seancës së gjyqtari Lala kishte disponuar me ekzekutim të menjëhershëm për vendimarrjen për punonjësin e policisë S.R. dhe se ishte e nevojshme që të verifikohej gjithë fashikulli i dosjes.

Lidhur me analizën financiare, Ballhysa kërkoi që të përfshiheshin si shpenzime ato të transportit dhe të qirasë, ndërkohë që për dietat tha se nuk mund të konsideroheshin si të ardhura.

Gjithashtu, Ballhysa këmbënguli se nuk mund të përfshiheshin të ardhurat e pretenduara nga subjekti se ishin përfituar nga bashkëshortja nga puna në bujqësi. Sipas Komisionerit ajo nuk kishte paguar sigurime si e vetëpunësuar në bujqësi dhe Lala nuk i kishte pasqyruar këto të ardhura gjatë deklaratave periodike.

Në fund, Komisioneri Ballhysa u shpreh se sipas përllogaritjes së tij, subjekti i rivlerësimit rezultonte me balancë negative.

Trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Sokol Çomo, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Ina Rama, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz vendosën të administrojnë si prova aktet e depozituara nga subjekti dhe ti kërkojnë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dosjen e plotë të çështjes për S.R. dhe njësisë së shërbimit ligjor të KPA-së të kryejë anbalizën financiare mbi të ardhurat dhe shpenzimet e gjyqtarit Lala për vitet 2011, 2012, 2014 dhe 2016.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 22 qershor 2021, ora 10:00.