Analize8 Oct 2021

Gjyqtarja Adelajda Gjuzi e përmbysi analizën financiare të KPK-së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i vlerësoi bindëse pretendimet e gjyqtares së Beratit, Adelajda Gjuzi për konsiderimin të ligjshme të dhurimeve të prindërve të bashkëshortit prej nga u konstatua fillimisht mungesa më e madhe e burimeve të ligjshme, si dhe për uljen e shpenzimeve, duke e rrudhur balancën negative disa herë që në fund e çmoi jo penalizuese.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Beratit, Adelajda Gjuzi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 7 shtator 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Beratit, Adelajda Gjuzi, duke i konsideruar jo penalizuese mungesat financiare për pasurinë dhe bindëse shpjegimet për dy garazhe të blera në vjehrri në pallatin ku jeton subjekti, për të cilat fillimisht u ngritën dyshime se ishin pasuri të fshehura. Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u gjetën probleme në kriterin profesional.

Adelajda Gjuzi përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Gjatë periudhës 2014-2015, Gjuzi ka punuar si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë dhe është kthyer më pas në Berat në funksionin e gjyqtares.

Nga analizën financiare paraprake të kyrer nga Komisioni duke filluar nga viti 2012 kur Gjuzi është bërë subjekt deklarimi, është konstatuar fillimisht balancë negative në shumën 4.3 milionë lekë. Balancat negative janë konstatuar në burimet e deklaruara se kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 108.6 m2 në Tiranë në vitin 2014 kundrejt çmimit 8 milionë e 860 mijë lekë; për shpenzimet e mobilimit në 2015-ën; një autoveture tip Benz të blerë para fillimit të detyrës si dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera, për të cilat subjektit i është kaluar barra e provës.

Mungesa janë konstatuar në pamundësinë e prindërve të bashkëshortit për të justifikuar me dokumenatcion ligjor burimet financiare që kanë shërbyer për dhurimet e deklaruara dhe shumat e kaluara në llogari të djalit, që më vonë janë përdorur nga ky i fundit për të paguar një pjesë të çmimit të apartamentit. Gjithashtu, janë konstatuar balanca negative edhe për të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga puna e bashkëshortit në një shoqëri private, si dhe dietat e shpërblimet.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se pas fillimit të detyrës nga subjekti, nga muaji qershor i vitit 2013 dhe në vijim, bashkëshorti i saj ka filluar të sigurohet nga punëdhënësi për një pagë rreth dy herë më të lartë dhe nuk ka deklaruar më ndonjë përfitim në formën e shpërblimeve mbi performancën, ashtu si është pretenduar për vitet e mëparshme.

“Kjo rrethanë nënkupton se përfitimet e pretenduara, si më lart, nga vet palët, janë vlerësuar si jo të ligjshme për sa kohë është ndryshuar mënyra e marrjes së tyre nga bashkëshorti i subjektit”, konstaton KPK në analizën e të ardhurave të deklaruara se kanë shërbyer si burime për krijimin e pasurive dhe shpenzimet.

Gjuzi e ka kundërshtuar analizën financiare të Komisionit, duke pretenduar se gjatë periudhës 2013-2016 ka punuar si gjyqtare vetëm 7 muaj e 20 ditë pasi ka shërbyer pranë Gjykatës së Lartë si ndihmëse ligjore.

Ajo ka kërkuar që analiza financiare për periudhën e rivlerësimit duhet të fillojë në tetor të vitit 2012 e në vijim. Gjuzi ka pretenduar se prindrëit e bashkëshortit kanë pasur të ardhurara të mjaftueshme për t’i dhënë djalit të tyre shuma 3 milionë lekë, 8000 euro dhe 6000 dollarë. Në shpjegimet e saj, Gjyzi ka argumentuar se prindërit e bashkëshortit kanë përfituar të ardhura të konsiderueshme nga aktiviteti i tyre privat. Gjithashtu ajo ka pretenduar se vjehrra ka përfituar shuma monetare të dërguara nga Kanadaja nga vëllai i saj prej vitit 2007.

Për vlerën 3 milionë lekë, Gjuzi ka vërejtur se prindërit e kanë krijuar që në vitin 2007 pasi e kanë pasur të depozituar në bankë. “[…]për sa kohë kanë qenë të depozituara në bankë përpara fillimit të detyrës, duhet të konsiderohen të ardhura të ligjshme”, ka kërkuar Gjuzi.

Ajo ka kërkuar që në analizën financiare të përfshihet dhe një shumë 220 mijë lekë e dhuruar nga miqtë e bashkëshortit në vitin 2013.

Në vijim subjekti ka kërkuar të ulen nga analiza financiare e  vitit 2015 shpenzimet për mobilim në shumën 460 mijë lekë sipas një fature të këtij viti, pasi sipas saj është vërtetuar se ky detyrim është paguar me anë të bankës në 2019-ën.

Gjuzi ka kërkuar të hiqen edhe shpenzimet e përllogaritura për udhëtimet në drejtim të Bajram-Currit, duke pretenduar se nuk mund të llogariten njësoj si shpenzime për udhëtime jashtë shtetit. Ajo ka pretenduar se në Tropojë ka shkuar “për shkak të sebepeve familjare të tyre”.

Po ashtu, subjekti ka kërkuar të ulen shpenzimet e transportit për në Berat ku ushtron detyrën, duke pretenduar se ka udhëtuar me kolegët e saj, si dhe shpenzimet e bashkëshortit kur ka udhëtuar për qëllime pune.

Komisioni ka konsideruar pretendimin e Gjuzit për dhurimet e miqve të bashkëshortit dhe ka shtuar në analizë si të ardhur shumën 220 mijë lekë të dhuruar nga miqtë e bashkëshortit; shumat e dhuruara nga prindërit e bashkëshortit në 2012-ën në vlerat 8000 euro dhe 6000 USD, si dhe shumën 3 milionë lekë. Po ashtu janë ulur shpenzimet e transportit në Berat, shpenzimet e udhëtimeve të bashkëshortit për qëllime pune, si dhe pjesërisht udhëtimet turistike, sipas faturave të paraqitura për rezervimet e hoteleve.

Komisioni ka konsideruar edhe pretendimin lidhur me pagesën për mobilimin në vitin 2015, ndërkohë që në vitin 2016 janë kosideruar si vlerë totale e arredimit të dyja shumat 380 mijë lekë dhe 100 mijë lekë, të deklaruara nga subjekti dhe bashkëshorti i saj.

Pas rishikimit të analizës financiare për periudhën 2012-2016 ka rezultuar një bilanc i përgjithshëm negativ në shumën 900 mijë lekë, që nuk është konsideruar penalizues në kuadër të procesit të rivlerësimit.

“[…]duke e vlerësuar kriterin e pasurisë për këtë subjekt rivlerësimi, në tërësinë e tij dhe nën dritën e parimit të proporcionalitetit dhe të objektivitetit, trupi gjykues çmon se pamjaftueshmëria financiare e sipërpërmendur në vlerën totale 900,050 lekë […], nuk përbën shkak të mjaftueshëm për aplikimin e masës së shkarkimit nga detyra të znj. Adelajda Gjuzi”, konkludon Komisioni dhe vlerëson se subjekti ka arritur një nivel të besueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë, duke justifikuar dhe shpjeguar bindshëm të gjitha pasuritë e analizuara.

Komisioni ka hetuar edhe dy garazhe që babai i bashkëshortit të subjektit i ka blerë në vitin 2015 kundrejt çmimit total 15 mijë euro, në të njëjtin pallat ku gjendet apartamenti i tyre në Tiranë. Nisur nga fakti se vjehrri jetonte në Elbasan, si dhe prej deklarimit të subjektit se si burim krijimi i këtyre pasurive kishte shërbyer një hua që babai i bashkëshortit ka marrë nga një e afërme që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që ai kishte pasur gjendje të mjaftueshme në bankë, Komisioni ka ngritur dyshime se mund të ishin pasuri të fsehura të subjektit.

Megjithatë, Komisioni ka ndryshuar qëndrim duke marrë në konsideratë deklarimet e Gjuzit dhe faktin se këto garazhe janë përdorur edhe prej vjehrrit kur ai vinte për qëllime pune në Tiranë.

Subjekti ka pretenduar se nëse këto pasuri do të kishin qenë të familjes së saj, ato mund të ishin blerë me ndihmën financiare të prindërve të bashkëshortit, sikurse ishte vepruar edhe për blerjen e apartamentit.

“[…]duke pasur parasysh se përdorimi i këtyre garazheve nuk ka qenë ekskluziv i subjektit, pasi ato janë përdorur edhe nga prindërit e bashkëshortit të saj ‒ duke pasur në vëmendje edhe pohimin e subjektit gjatë seancës dëgjimore se blerja e këtyre pasurive ka qenë në lidhje me perspektivën e transferimit të prindërve të bashkëshortit për të jetuar së bashku, pasi të dalin në pension[…]”, trupi gjykues vlerëson se në këtë pikë nuk egzistojnë më elemente të fshehjes së mundshme të pasurisë.

Gjithashtu, nga analiza financiare e KPK ka rezultuar se prindërit e bashkëshortit të subjektit kanë pasur burime të ligjshme për blerjen e dy garazheve, pa përfshirë në përllogaritje huanë e marrë të deklaruar prej subjektit.

Komisioni i vlerëson bindëse shpjegimet e gjyqtares Adelajda Gjuzi dhe çmon se nuk mund të ketë pasojë ligjore që i atribuohet subjektit të rivlerësimit edhe për këtë gjetje.